Nga Agron Brataj

“Kush po lufton vërtet për Vlorën? dhe kush po lufton kundër saj?”
Në ditët e fundit, çdo portal dhe edicion lajmesh është pushtuar nga një temë e vetme, debati i ashpër midis Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Pamjet e një përballjeje me tone të forta janë komentuar e rikomentuar pafund, por askush nuk është ndalur të kuptojë përmbajtjen e asaj bisede apo qëllimin e vërtetë të atij diskutimi. Është më e lehtë të sulmosh sesa të analizosh.
Ajo që shumë prej komentueseve dhe analistëve kanë injoruar, është se Kryeministri Rama nuk takoi vetëm Kryetarin e Bashkisë Vlorë, por bëri një tur të plotë takimesh me të gjithë kryetarët e bashkive dhe grupet e deputetëve në vend. Dhe me të gjithë foli me të njëjtën gjuhë të drejtë, ndonjëherë të ashpër, për të bërë analizën e gjendjes, për të tërhequr vëmendjen për punët e mbetura dhe për të diskutuar projektet në vijim.
Në fund të fundit, me kë duhet të flasë një Kryeministër për të përmirësuar bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe atij qendror?
Me ndonjë kandidat të sapodalë që ka marrë 500 vota, apo me njerëzit që janë aktualisht në detyrë dhe mbajnë përgjegjësi reale për menaxhimin e qyteteve?
Megjithatë, për çudi, të gjitha shigjetat mediatike u drejtuan vetëm ndaj Ermal Dredhës, sikur Vlora dhe problemet e saj të kenë lindur me ardhjen e tij në detyrë. Harrohet që shumë nga institucionet që sot janë burim shqetësimesh për qytetarët, nuk varen fare nga bashkia.
Po marrim disa shembuj konkretë:
Ujësjellësi i Vlorës, që përmendet shpesh për problemet e tij, është një institucion që varet drejtpërdrejt nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve, dhe jo nga Bashkia. Drejtori aktual, Ermal Murati, është ndër drejtuesit më të paaftë që ky sektor ka njohur, dhe askush nuk mban përgjegjësi për të, përveç vetë ministrisë.
Fusha e mbetjeve urbane, një tjetër problem i trashëguar, është po aty prej më shumë se 30 vitesh. Asnjë prej ish-kryebashkiakëve nuk ia ka dalë ta zgjidhë përfundimisht, por sot fajësohet vetëm një njeri.
Qyteti ka probleme kjo nuk diskutohet. Por është e pakuptimtë të bëhet fushatë linçimi ndaj një figure të vetme, ndërkohë që shumë nga këto probleme janë strukturore dhe kërkojnë ndërhyrje të thellë institucionale.
Shumë prej atyre që sot shpenzojnë para për të sulmuar Kryetarin e Bashkisë në media, duhet të ndalojnë një moment dhe të mendojnë: nëse nesër do ishin në vendin e tij, me çfarë do përballeshin? Apo mendoni se do t’ju kursejnë, vetëm sepse jeni “të rinj” apo “shpresë e re”?
Mos vallë keni harruar se rrugët nuk hapen në janar, sepse buxheti aprovohet në fillim të vitit, projektet hartohen, tenderohen, pason periudha e ankimimeve dhe zbatimi fillon në muajin prill ose maj? Kjo nuk është paaftësi, është procedurë ligjore dhe burokratike që çdo kryetar bashkie, kushdo qoftë ai, është i detyruar ta ndjekë.
Në vend që të shpenzoni para për të denigruar dhe sabotuar, më mirë investoni në ndërtimin e imazhit të qytetit. Dhuroni ato fonde për ndihmë sociale, për fëmijët në nevojë, apo për pastrimin e qytetit në prag të sezonit turistik. Vlora ka nevojë për bashkëpunim, jo për përçarje.
Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, ndoshta nuk është perfekt asnjë prej nesh nuk është por është e padrejtë që të mbulohet me baltë për gjithçka që shkon keq, përfshirë gjëra që nuk varen nga ai. Kritikoni kur duhet, por mos harroni drejtësinë. Sepse e vërteta është se nëse duam një Vlorë më të mirë, duhet të punojmë së bashku, jo t’i vërsulemi njëri-tjetrit në emër të luftës për pushtet.




