Kreu i ushtrisë paralajmëron. Rrezik për pengjet, ushtarët janë të rraskapitur.

Tensionet në Izrael vazhdojnë të rriten pas vendimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të vazhduar pushtimin e Gazës, pavarësisht paralajmërimeve nga krerët ushtarakë.

“Do të binden,” tha Netanyahu, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ushtrisë që shprehen për rreziqet ndaj pengjeve të mbetura në Gaza dhe për lodhjen ekstreme të trupave në terren. Vendimi për hapat e mëtejshëm do të merret të enjten.

Ndërkohë, një kamion me ndihma humanitare është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave. Tragjedia shton edhe më shumë peshën mbi një situatë tashmë të rënduar nga lufta.

Sipas raportimeve nga Al Jazeera, të paktën 18 palestinezë janë vrarë që nga mëngjesi në sulmet ajrore izraelite. Ushtria izraelite (IDF) ka goditur edhe një qendër mjekësore të Kombeve të Bashkuara në qytetin e Gazës, e cila strehonte të zhvendosur.

Ndër viktimat janë edhe një grua dhe dy fëmijë, të vrarë në bombardimin e një shtëpie në veri të kampit të Nuseirat, ka raportuar një burim nga spitali Al Awda.

OKB ka paralajmëruar për “pasoja katastrofike” nëse ofensiva vazhdon, ndërsa ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani e ka cilësuar këtë veprim si “një gabim i rëndë”. Në Tel Aviv, qytetarët janë ngritur në protesta masive me thirrjet “Mjaft më me luftën”.

Në një zhvillim tjetër, Donald Trump ka shprehur dëshirën për të marrë kontrollin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza, një lëvizje që ka shkaktuar reagime të përziera në mediat ndërkombëtare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*