
Kryeministri Edi Rama priti dje në Tiranë Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilit i akordoi dekoratën “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” për ndihmën e vyer që vendi i tij i dha Shqipërisë pas tërmetit tragjik të vitit 2019.
Në ceremoninë zyrtare të nderimit, Rama kujtoi mbështetjen e menjëhershme të udhëheqësit të Emirateve, duke thënë se nuk do ta harrojë kurrë momentin kur ai i qëndroi pranë në ditët më të vështira pas tërmetit.
“Kur erdha tek ju pas tërmetit që la mijëra pa strehë, më thatë: ‘Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm’. Sot, një lagje e re me mbi 1000 apartamente është dëshmi e fjalës suaj të mbajtur,” u shpreh Rama, duke e cilësuar presidentin arab si një “vëlla i armëve të paqes”.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu rolin e Sheikh Mohammed Bin Zayed në nxitjen e dialogut ndërfetar dhe marrëveshjeve historike si ajo për Vëllazërinë Njerëzore dhe Marrëveshjet Abrahamike.
Duke cituar një episod nga tradita profetike islame, Rama theksoi: “Kur e do dikë për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Sot, si vëlla, dua t’ju shpreh publikisht dashurinë dhe besnikërinë time.”




