Monika Kryemadhi ka thënë gjatë Konventës së LSI se Rama nuk mund të gënjejë më partnerët ndërkombëtarë sa i përket realitetit në Shqipëri. Ajo shprehet se kryeministri ka ngritur një realitet virtual të gënjeshtërt pasi mbrapa saj fshihen shëndetësia e cila është më e shtrenjta në Ballkan, refuzimi i BE ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave apo kapja e sistemit të drejtësisë nga vetë ai.

Gjithashtu ajo zotohet se LSI dhe Opozita e Bashkuar janë gati për plotësimin e 9- kushteve të Bundestagu-ut për hapjen e negociatave ndërkohë nuk ka harruar pa përmendur edhe Reformën Zgjedhore. Sipas saj Rama po e zvarrit atë pasi tmerri i kryeministrit janë pikërisht zgjedhjet.

PJESË NGA FJALA E MONIKA KRYEMADHIT

Viti 2019 shënoi edhe një rekord tjetër të trishtë: investimin më të ulët në arsim, mbylljen e dhjetra shkollave në të gjithë Shqipërinë disa për mungesë infrastrukture por shumica në zonat rurale për shkak të mungesës së nxënësve. Ne akuzojmë sot këtë mazhorancë se kjo politikë e shkatrimit të vendit është e qëllimshme, sepse në një shoqëri ku investimi në arsim është i vogël, ka vetëm dy rrugë: ose largimi për t’i shpëtuar injorancës dhe padijes ose nëpërmjet injorancës t’i nënshtrohet pushtetit sado i mbrapshtë të jetë ai.

Shëndetësia përfaqëson një dështim tjetër spektakolar te kesaj qeverisje. “Shëndetësia falas”është në fakt alibia e Rilindjes për grabitjen më të madhe të buxhetit të shqiptarëve.Nga shëndetësia falas ajo është tashmë për këdo është shëndetësia më e shtrenjtë në rajon, dhe detyrimin publik per t’i sherbyer shëndetit të njerëzve, kjo mazhorancë e ka hedhur tek privat i cili realizon me pagesë mbi 70 përqind të volumit të shërbimeve që duhet të ofroheshin nga sistemi publik.

Pra fjalët janë të tepërta për të përshkruar mungesën e përgjegjësisë,ndjeshmërisë dhe humanizmit,të kësaj qeverie e cila ka vetëm një qëllim: grabitjen dhe zhvatjen.

Më 8 tetor të vitit 2019 shqiptarët morën edhe një goditje tjetër në ëndrrën e tyre europiane. Jo-ja nga Bashkimi Evropian, ishte një shuplakë tjetër në fytyrën arrogante të kësaj qeverisje.

Një gjë është e qartë, realiteti virtual i gënjeshtërt që Rama mendon se konsumojnë çdo ditë shqiptarët, nuk mund të funksionojë edhe me partneret Evropiane.

Ata nuk mund të gënjehen më kur shikojnë se si Shqipëria, faktor historik për paqen e stabilitetin në rajon, po kthehet në një provokator i këtij stabiliteti nga aventurat, akrobacitë apo amatorizmi i kryeministrit në politikën e jashtme, ashtu siç e paralajmëroi Bundestagu gjerman me 9 kushtet e tij.

Tashmë ka dalë edhe boja e fasadës së lyer nga Rama se në Shqipëri ka një normalitet politik. Këtë e dinë mirë dhe e shprehin edhe partneret tanë. Mungesa e dialogut politik,mungesa dhe vonesa në ngritjen e institucioneve të drejtësisë, dhe zbatimin e reformën në drejtësi, nuk ka më dyshim që ishin përpjekje e Ramës dhe alibi e tij për kapjen e sistemit të drejtësisë. Me një qellim, ruajtjen e vetes dhe bandës së tij nga ndëshkimi për grabitjen dhe skandalet në kurriz të shqiptarëve.

Tashmë fasades i ka dale boja. Evropa nuk i tha JO shqiptarëve, por autokratit Edi Rama. 9 kushtet që Bundestagu i vuri Shqipërisë janë shumë të qarta.

LSI dhe opozita e bashkuar ka patur gjithnjë gatishmërinë për të realizuar të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave. Por, si gjithmonë, ka vetëm një person që nuk e do hapjen e negociatave; dhe ky është Edi Rama, i cili nuk do që të ketë më shumë BE në Shqipëri, se kështu merr fund uzurpimi i pushtetit dhe vjedhja qe i bën shqiptarëve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*