Lindsay Foreman thotë se po përpiqet të ruajë ekuilibrin mendor duke lexuar, duke bërë xhiro në oborrin e burgut dhe, kur mundet, duke praktikuar joga. Ushtrimet fizike, sipas saj, kanë qenë gjithmonë “shpëtimi” i saj. Por pas 16 muajsh në burg në Iran, ajo pranon se po e ka të vështirë.

“Po përballem me faktin që ka gjasa të qëndrojmë këtu për një kohë të gjatë,” thotë ajo në një telefonatë nga burgu famëkeq Evin.

Lindsay, 53 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Craig, 52 vjeç, u arrestuan në janar 2025 gjatë një udhëtimi me motor rreth botës, nën dyshimin për spiunazh – akuza që ata i mohojnë kategorikisht.

“Po na ikën jeta këtu brenda”

Pas përjetimit të luftës së fundit në Iran, çifti nga East Sussex përballet tani me realitetin e një dënimi 10-vjeçar me burg, të dhënë në shkurt.

“Ndjej sikur po na ikën jeta këtu brenda dhe po kalbemi,” thotë Craig. “Jemi të pafajshëm. Nuk kemi kryer asnjë vepër penale.”

Ai i bën thirrje qeverisë: “Veproni. Flisni. Na nxirrni që këtu. Na duket sikur jemi ulur si shënjestra të lehta.”

Të dy flasin për herë të parë bashkë me median përmes telefonave të ndryshëm, që nga koha e arrestimit. Ata mbahen në qeli të ndara në të njëjtin burg. Djali i tyre, Joe Bennett, tashmë merr telefonata të rregullta prej tyre përmes linjave të monitoruara.

Telefonatat janë të vështira: ndërpriten shpesh dhe çdo pak minuta dëgjohet një regjistrim në persisht që paralajmëron se telefonata vjen nga burgu Evin.

“Është shumë zhgënjyese, por këto telefonata janë jetike për ta dhe për ne,” thotë Joe.

Jeta në burg dhe frika nga lufta

Pas tensioneve të luftës mes Iranit dhe Izraelit/SHBA-së, jeta në burg është kthyer në një rutinë monotone. Megjithatë, frika mbetet.

Lindsay tregon se gjatë bombardimeve pranë burgut, një shpërthim ishte aq afër sa “dritaret dolën nga vendi” ndërsa ajo fliste me djalin.

Craig ndan qelinë me të huaj të tjerë dhe ndjen një lloj solidariteti, ndërsa Lindsay jeton më e izoluar, pa persona që flasin anglisht dhe fle në një shtrat metalik.

Ditë dëshpërimi

Pavarësisht doktoraturës në psikologji pozitive, Lindsay pranon se ka ditë shumë të vështira.

“Ka njerëz që janë këtu prej vitesh dhe është kaq e padrejtë,” thotë ajo mes lotësh.

Craig përpiqet ta inkurajojë: “Do t’ia dalim. Do të dalim nga këto mure. Qëndro e fortë.”

Si përfunduan në burg

Çifti ishte në një udhëtim nga Evropa drejt Australisë kur hynë në Iran nga Armenia, duke planifikuar të qëndronin vetëm disa ditë. Lindsay po bënte një studim mbi “jetën e mirë”, por kjo duket se ngjalli dyshime tek autoritetet iraniane.

Ajo pranon se ishte në dijeni të paralajmërimeve për të mos udhëtuar në Iran, por nuk besonte se turistë të pafajshëm do të përfundonin në burg për kaq gjatë.

Kushtet dhe realiteti i ashpër

Fillimisht, Lindsay kaloi 57 ditë në izolim, ndërsa Craig u mor në pyetje me sy të lidhur. Më pas u transferuan në Teheran, ku u premtua lirimi, por përfunduan në burgun Evin.

Kushtet janë të vështira: mungesë higjiene, kujdesi shëndetësor dhe konflikte mes të burgosurve.

Craig thotë se disa të burgosur janë marrë për ekzekutim dhe më pas është konfirmuar në media.

Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se shumë iranianë vuajnë edhe më shumë.

“Për ne do të ketë një fund një ditë,” thotë Lindsay. “Por për disa këtu, nuk ka fund.”/BBC-Syri.Net

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*