Autoriteti Rrugor Shqiptar është në procesin e plotësimit të inventarit të asetit rrugor të vendit një projekt ky i nisur prej disa kohësh tashmë dhe që përfshihet edhe në strategjinë sektoriale të transportit si dhe planin e veprimit 2016-2020. Në raportin e monitorimit të dytë të zbatimit të këtij dokumenti të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë jepen në detaj mënyra sesi kanë avancuar disa prej projekteve të nisura.

Kështu lidhur me inventarin e asetit rrugor të vendit dokumenti sqaron se gjatë vitit 2018 vijoi një pjesë e punës për përfshirjen e elementëve të inventarit siç ishin barrierat e metalit, mbikalimet, nënkalimet, muret mbajtës si dhe sinjalizimi vertikal në bashkëpunim me Kontraktorin e mbikëqyrjes së Performancës dhe ata të mirëmbajtjes.

“Deri më tani në inventar janë përfshirë afërsisht 4000 kilometra akse rrugore, me gjatësinë dhe gjerësinë e rrugës si dhe shenjat e saj apo barrierat( këto të fundit rreth 12 mijë). Po kështu janë përfshirë 410 ura, 12 viadukte, 3466 tuba, 7 tunele, 1385 mure mbajtës. Punimet për këtë pjesë ende po vijojnë nga ana e ARRSH për plotësimin e gjithë inventarit” thuhet në dokument.

I njëjti ndalet në elementët e sigurisë të lidhura me rrugët duke nënvizuar se ende mbeten një seri njollash të zeza ku rastet e aksidenteve janë më të shpeshta dhe ku do të ndërhyhet. Në vitin 2018 sipas raportit është ndërhyrë në të paktën 16 njolla të zeza ndërkohë që për 41 të tjera ka një plan zbatimi që po ndiqet hap pas hapi. Vetëm për vitin 2019 ndërhyrja në këto njolla të zeza do të bëhet përmes një buxheti prej 320 mijë eurosh.

Por çfarë quhen njolla të errëta. Sipas metodologjisë që u aplikua në klasifikimin e njollave të errëta pak vite më parë, duhet që në një pikë të kishin ndodhur të paktën tre aksidente në të paktën tre vitet e fundit me të paktën një dëmtim të madh apo fatalitet. Seksioni i rrugës që meret në llogaritë është 300 metra i gjatë. Në atë kohë pra në vitet 2014-2016 kur u bë edhe vlerësimi i tyre numri i njollave të zeza në rrugë kalonte mbi 200 ndërkohë që një rishikim i fundit i tyre si dhe përfshirja e akseve ku janë bërë ndërhyje ka bërë që ARRSH të ulë numrin e këtyre njollave në 64.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*