Policia e Sarandës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Meantime”, duke goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në qytet.
Në kuadër të operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 30 vjeç, banues në Sarandë, i cili u kap teksa qarkullonte me automjet, i dyshuar se posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, 30-vjeçarit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për tregtim. Një sasi tjetër e kanabisit u sekuestrua edhe në banesën e tij.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi gjithashtu automjetin e përdorur nga i arrestuari dhe një peshore elektronike, e dyshuar se përdorej për ndarjen e dozave të drogës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia vijon operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.





