
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë ndërmarrë sulme të reja ushtarake në jug të Iranit, duke shënjestruar baza raketore iraniane dhe mjete detare që dyshohet se po përpiqeshin të vendosnin mina, raporton BBC.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) deklaroi se sulmet u kryen “në vetëmbrojtje” dhe kishin si qëllim “mbrojtjen e trupave amerikane nga kërcënimet e paraqitura nga forcat iraniane”.
Zëdhënësi i CENTCOM-it, kapiteni Tim Hawkins, tha se ushtria amerikane “vazhdon të mbrojë forcat e saj duke treguar njëkohësisht përmbajtje gjatë armëpushimit në vazhdim” mes dy vendeve.
Deri më tani, Irani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj sulmeve amerikane. Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqai, deklaroi më herët se ndonëse është bërë progres në bisedimet për përfundimin e konfliktit, një marrëveshje “nuk është e afërt”.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë ndikimi mund të kenë këto sulme në përpjekjet për një marrëveshje të mundshme paqeje mes SHBA-së dhe Iranit.
Pas sulmeve, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje mbetet ende e mundur. Ai iu referua takimeve të zhvilluara të martën mes negociatorit kryesor iranian, ministrit të Jashtëm të Iranit dhe kryeministrit të Katarit.
“Do të shohim nëse mund të bëjmë përparim. Ka shumë diskutime dhe shkëmbime mbi formulimet specifike të dokumentit fillestar, ndaj do të duhen disa ditë”, tha Rubio gjatë një vizite zyrtare në Indi.
Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump “ka shprehur dëshirën për arritjen e marrëveshjes”.




