
Një gjykatës në shtetin e New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta Platforms, pronaren e Facebook dhe Instagram, të paguajë mbi 900 milionë dollarë, pasi një juri arriti në përfundimin se kompania nuk ka mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme përdoruesit e mitur nga rreziqet e rrjeteve sociale.
Sipas raportimit të Wall Street Journal, vendimi rrit ndjeshëm vlerën e një prej dënimeve më të mëdha të shqiptuara ndonjëherë ndaj Meta-s për çështje që lidhen me sigurinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në internet.
Gjykata vendosi që Meta të krijojë një fond prej 567 milionë dollarësh për financimin e masave korrigjuese, i cili i shtohet 375 milionë dollarëve të sanksioneve civile të vendosura më herët. Në total, kompania do të përballet me një detyrim financiar prej 942 milionë dollarësh.
Përveç pagesës së gjobave, Meta do të jetë e detyruar të zbatojë një sërë ndryshimesh në platformat e saj. Ndër masat kryesore është vendosja si opsion i paracaktuar e fshehjes së numrit të “pëlqimeve” (likes) në fotografitë e përdoruesve të mitur, me synimin për të reduktuar presionin social dhe ndikimin negativ në shëndetin mendor të tyre.
Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të rritur përgjegjësinë e kompanive të teknologjisë ndaj mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në platformat digjitale.




