Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën apel që zgjedhjet e 30 Qershorit duhet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. SHBA u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar.

Selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë kërkon që ata që përfshihen në akte dhune të hetohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Ditën e diel, ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë për të monitoruar të gjithë procesin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente.

Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit. Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë.

Ne do të mbështetemi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit.Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun.

Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve” deklaron ambasada.

Deklarata e fortë e SHBA-së vjen një ditë pas prononcimit të zv/ ndihmës Sekretari Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në ‘VOA’-n që tha se Amerika njeh 30 Qershorin si datën e vetme të zgjedhjeve në Shqipëri dhe jo dekretin e kreut të shtetit për 13 Tetorin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*