Tiranë, 13 nëntor 2025,
Shqipëria ka hequr të gjitha “pikat e kuqe” nga i ashtuquajturi Muri i Zgjerimit në Bruksel, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më 17 nëntor në Bruksel do të mbahet Konferenca e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila do të hapë grup-kapitullin e fundit të negociatave, atë të Burimeve, Bujqësisë dhe Kohezionit.
Ky hap përmbyll fazën e parë të procesit negociues, duke i hapur rrugë fazës përfundimtare të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Një mur që u mbush me ngjyrë jeshile
Gjatë vizitës së saj në Bruksel më 16 shtator, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, i kishte prezantuar kryeministrit Edi Rama. Murin e Zgjerimit, një tabelë që pasqyron progresin e vendeve kandidate në hapjen e kapitujve të negociatave.
Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. Sot, Shqipëria ka ecur aq shpejt sa pjesa më e madhe e tabelës është jeshile, kishte deklaruar Kos.
Ngjyra e kuqe simbolizonte kapitujt që ende nuk ishin hapur, e verdha ata që ishin në proces, ndërsa e gjelbra shënonte kapitujt e përmbyllur. Tashmë, me hapjen e grupit të fundit, Shqipëria ka kaluar të gjitha fazat e hapjes së kapitujve negociues.
Pesë kapitujt që do të hapen më 17 nëntor
Konferenca e ardhshme do të përfshijë hapjen e pesë kapitujve kyç:
Kapitulli 11: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural
Kapitulli 12: Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Fitosanitaria
Kapitulli 13: Peshkimi dhe Akuakultura
Kapitulli 22: Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore
Kapitulli 33: Dispozitat Financiare dhe Buxhetore
Një vit rekord për integrimin
Kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim si një arritje historike.
Shqipëria e arriti të pamendueshmen të gjithë kapitujt e negociatave u hapën brenda 12 muajsh, një rekord absolut në procesin e integrimeve europiane.
Edhe Komisionerja Marta Kos, gjatë prezantimit të Progres-Raportit 2025, e vlerësoi Shqipërinë për progresin e paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare të tetorit 2024”, duke theksuar se 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE.
Nga 2022 deri sot rruga e gjatë drejt kapitullit të fundit
Procesi negociues ka kaluar nëpër gjashtë konferenca ndërqeveritare që nga 19 korriku 2022, kur u hapën zyrtarisht negociatat. Secila prej tyre trajtoi një grup-kapituj të ndryshëm:
Themeloret demokracia, gjyqësori dhe të drejtat themelore;
Marrëdhëniet e Jashtme politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes;
Tregu i Brendshëm lëvizja e mallrave, kapitalit dhe punëtorëve;
Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse taksat, arsimi, politikat sociale;
Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme energjia, transporti dhe mjedisi.
Tashmë, me Konferencën e 7-të, Shqipëria mbyll ciklin e hapjes së kapitujve dhe hyn në një fazë të re të procesit atë të përmbylljes dhe përafrimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Kjo është një dëshmi e përkushtimit të fortë politik dhe e pjekurisë institucionale që Shqipëria ka treguar në rrugën e saj europiane, theksoi në mbyllje Komisionerja Kos.





