Nga Agron Brataj
“Sinan Idrizi rikthen Flamurtarin në elitë: Nga sakrificat personale tek ëndrra europiane Koha për një ekip legjendar që i bën nder Vlorës dhe Shqipërisë”

Sinan Idrizi, presidenti aktual i klubit të futbollit Flamurtari, është padyshim një prej figurave më të rëndësishme në historinë e re të këtij klubi legjendar. Ai e mori ekipin në një nga periudhat më të errëta dhe më të vështira ekonomike, atëherë kur Flamurtari menaxhohej nga Bashkia dhe ndodhej në krizë të thellë financiare.
Në një kohë kur të gjithë ishin të dorëzuar, Idrizi vendosi të investojë në mënyrë të vazhdueshme, duke mbajtur gjallë jo vetëm emrin e klubit, por edhe shpresat e mijëra tifozëve vlonjatë.
Për vite me radhë, ai ka hedhur para të konsiderueshme nga xhepi i tij për të mbajtur në këmbë Flamurtarin. Në vend të mirënjohjes, shpeshherë është përballur me kritika, ofendime dhe mosmirënjohje madje edhe nga ata që nuk japin as minimumin, siç është një biletë 200 lekëshe për të parë një ndeshje të ekipit të tyre.
Por ai nuk u ndal. Me këmbëngulje, durim dhe vizion, Sinan Idrizi e riktheu Flamurtarin atje ku i takon në elitën e futbollit shqiptar. Dhe kjo është një fitore që i përket jo vetëm tij, por gjithë qytetit të Vlorës.
Flamurtari është më shumë se një klub futbolli. Ai është krenaria e një qyteti të lashtë e sportdashës, me tradita të mëdha e me zemër të madhe. Dhe tani, kur ka rikthyer statusin elitar, ky klub duhet të ndërtojë një ekip të denjë për të përfaqësuar denjësisht jo vetëm Vlorën, por gjithë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ky është Flamurtari që kemi njohur dhe që duhet të rikthehet me lavdinë e dikurshme.
Drejtori sportiv i klubit, Alfred Ferko, në një prononcim ka theksuar se Flamurtari ka hyrë në një fazë rindërtimi të plotë. Ai premton një skuadër konkurruese, që do të synojë trofetë dhe do të sjellë emocione të forta në Superiore.

“Jemi një kantier ndërtimi në çdo aspekt. Hapi i parë është hedhur ngjitja në Superiore. Tani, çdo lëvizje do të jetë e kujdesshme dhe e studiuar mirë. Është ende herët për të folur për objektiva të detajuar, por qëllimi është i qartë, të ndërtojmë një Flamurtar të frikshëm dhe të denjë për emrin që mban. Më gëzon mbështetja e qytetit dhe jam i bindur se kjo mbështetje do të rritet edhe më shumë tani që jemi aty ku na takon,” u shpreh Ferko.
Takimet mes administratorit Sinan Idrizi, drejtorit Ferko dhe trajnerit Artim Pollozhani janë të shpeshta. Sipas Ferkos, Idrizi ka qenë i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë financiare për të siguruar përforcime cilësore, me qëllim ndërtimin e një skuadre që nuk do të jetë thjesht pjesëmarrëse, por pretendente serioze.
Flamurtari është një histori krenarie, një simbol i qytetit të Vlorës dhe një trashëgimi që duhet mbrojtur dhe kultivuar. Tani është momenti që të gjithë – nga tifozët, bizneset lokale, institucionet dhe komuniteti të bashkohen për të mbështetur këtë rilindje. Sepse Flamurtari nuk është thjesht një skuadër, është një ndjenjë.
Flamurtari nuk është një emër i panjohur në arenën ndërkombëtare. Në vitet ’80, klubi vlonjat shkroi faqe të arta në historinë e futbollit shqiptar, duke përballuar me krenari dhe dinjitet gjigantë të futbollit europian.
Një nga ndeshjet më të paharrueshme është ajo ndaj Barcelonës, në sezonin 1987-1988 të Kupës UEFA. Flamurtari arriti të fitonte 1-0 në Vlorë, duke bërë që emri i qytetit të përmendej me respekt në mbarë kontinentin.
Edhe pse u eliminua pas dy ndeshjesh dramatike, ajo sfidë mbetet një simbol i guximit dhe cilësisë që ky klub ka treguar në skenën europiane.
Po aq historike ishte edhe përballja me Partizanin e Beogradit, ku Flamurtari, me një brez të artë futbollistësh, tregoi karakter dhe talent të rrallë. Ishin vite kur emri i Flamurtarit ishte sinonim i futbollit të pastër, luftarak dhe krenar një shembull për të gjithë.
Këto kujtime nuk janë thjesht histori, por një burim frymëzimi për brezat e rinj dhe për drejtuesit aktualë që synojnë të rikthejnë klubin në majat ku ka qenë. Sepse Flamurtari ka qenë dhe duhet të jetë pjesë e futbollit europian aty ku i takon.




