Milano, 13 nëntor 2025,
Një hetim tronditës i Prokurorisë së Milanos ka zbuluar pretendime të rënda mbi një kapitull të errët të historisë europiane, qytetarë italianë të pasur dyshohet se kanë paguar deri në 100 mijë euro për të marrë pjesë në “safari snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90.
Sipas kallëzimit të bërë nga gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, bëhet fjalë për një “gjueti njerëzish” të organizuar në Bosnje-Hercegovinë, ku persona me pasion për armët udhëtonin drejt pozicioneve serbe në kodrat përreth kryeqytetit boshnjak për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm.
Ishte një formë perverse e turizmit të luftës, ku njerëz të pasur paguanin për të vrarë, thuhet në kallëzimin e Gavazzenit.
Hetimi po udhëhiqet nga prokurori Alessandro Gobbis, dhe nëse akuzat konfirmohen, çështja mund të përfundojë me akuza për vrasje dhe krime kundër njerëzimit.
Dëshmitë e para: “E ndalëm safari-n”
Në dosje ndodhet dëshmia e një ish-oficeri të inteligjencës ushtarake boshnjake, i cili tregon se në fund të vitit 1993 kishte zbuluar përfshirjen e disa shtetasve të huaj dhe ia kishte përcjellë informacionin shërbimit sekret italian SISMI në fillim të vitit 1994.
Pas disa muajsh, përgjigjja që morën nga Italia ishte e ftohtë dhe e shkurtër:
“E kemi ndalur, nuk do të ketë më safari.”
Nga dokumentari “Sarajevo Safari” te hetimi italian
Gavazzeni nisi kërkimet e tij pas publikimit të dokumentarit të regjisorit slloven Miran Zupaniç, me titull “Sarajevo Safari”, ku për herë të parë u fol publikisht për “turizmin e vrasjeve” gjatë luftës në Bosnje. Sipas filmit, në këto krime ishin përfshirë persona nga disa vende, përfshirë SHBA-në, Rusinë dhe Italinë.
Në kallëzimin e tij, Gavazzeni pretendon se rreth 100 persona mund të kenë marrë pjesë në këto “safari”, duke paguar shuma që sot vlerësohen deri në 100 mijë euro për çdo “gjueti”.
Reagime dhe skepticizëm
Ndërkohë, disa ish-ushtarakë britanikë që shërbyen në Sarajevë gjatë viteve të rrethimit kanë deklaruar se nuk kishin dëgjuar kurrë për një fenomen të tillë, duke e quajtur “mit urban të luftës”. Megjithatë, burime pranë prokurorisë italiane konfirmojnë se janë identifikuar dëshmitarë kyç dhe pritet që së shpejti të merren në pyetje persona të lidhur me këtë rrjet të dyshuar.
Një kujtesë e errët e historisë
Rrethimi katërvjeçar i Sarajevës (1992–1996) është një nga ngjarjet më të përgjakshme të pas Luftës së Dytë Botërore në Europë. Mbi 11 mijë civilë, përfshirë më shumë se 1 600 fëmijë, u vranë nga forcat serbe që mbanin nën zjarr qytetin.
Nëse akuzat e reja konfirmohen, ato do të hedhin dritë mbi një aspekt të panjohur dhe makabër të luftës në Bosnje atë të shndërrimit të vuajtjes njerëzore në argëtim për të pasurit e paprekshëm.
Ky hetim nuk ka të bëjë vetëm me krime të së shkuarës, por me ndërgjegjen e Europës së sotme, ka deklaruar Gavazzeni për mediat italiane.





