Sot, të gjithë ne, jemi dëshmitarë dhe pjesë e ditëve të ngarkuara me angazhime, detyrime, sulme informacionesh, lajme nga më  të ndryshmet, gjë që na bën të jemi të ekspozuar ndaj atij, që pothuajse në të gjitha bisedat tona është i pranishëm : STRESI.
Me sa duket, kjo është bërë fjala kyç e ditës dhe nuk kursen asnjë nga ne. E megjithatë, mënyra e shfaqjes, niveli i përjetimit dhe  shpeshtësia e shqetësimit, dallon stresin normal nga ai patologjik.
Në rastin kur mbarëvajtja e personit ndikohet nga shqetesimi, dhe ndërhyn në mirëfunksionimin e tij duke i prishur cilësinë e jetës, jemi përpara një çrregullimi që emërtohet ANKTH.
Përjetimet e gjëndjeve të ankthit janë të larmishme, kjo sepse ankthi është disa llojësh dhe ne jemi të ndryshëm nga njëri tjetri.
Gjithsesi shënjat më të zakonshme që përjeton një njeri me ankth janë: frika dhe parehatia ndaj një rreziku (më së shumti imagjinar) , dhimbje apo peshë në gjoks, rrahje të shpejta të zemrës,  shqetësime në stomak, vështirësi në frymëmarrje, djersë, mpirje të duarve apo këmbëve, dhimbje koke, marrje mendsh, shpërqëndrim, dobësi e përgjithshme,  crregullime të gjumit, oreksit, nervozitet të shtuar, ankesa trupore që nuk justifikojnë ndonjë patologji (pasi janë bërë egzaminimet përkatëse përjashtuese), vështirësi në gëlltitje, urinim i shpeshtë, ndryshime te humorit,frikera specifike (nga sëmundjet, kafshët, injeksionet, nga lartësitë apo vendet e mbyllura,etj.), gjëndje që ngjason me të fiktit, frikë se mos vdesë apo cmendet, etj.
Shpesh, duhet të kalojnë jave, muaj,  madje edhe vite, që personi të kërkoj zgjidhje.
Megjithëse i kudondodhur dhe crregullimi më i vogël i shëndetit mendor, ankthi nuk duhet anashkaluar dhe duhet trajtuar sa më parë.
Ta identifikosh, ta pranosh, ta tregosh dhe te drejtohesh për ndihmë do të thotë të përmirësosh shpejt cilësinë e jetës tënde dhe të kryesh në më të mirën e vet aktivitetet e përditshme.
Duke kërkuar ndihmën, jo vetëm shkurtohet koha e  vuajtjes sonë por edhe kontribuohet në uljen e barrierave paragjykuese që bartin problemet e shëndetit mendor.
Nga ana tjetër  “më  mirë të parandalosh se sa të kurosh” është parim në mjekësi.
Jeta e shëndetshme, larg veseve (kafeinës, duhanit, alkolit, substancave), dietat e përshtatshme, aktiviteti fizik,  raportet sociale,etj., janë ato që këshillohen më së shumti, për ti qëndruar larg sulmeve të ankthit.
E nëse tashme ankthi është i pranishëm, duhet trajtuar sa më parë për të shmangur komplikacionet.
Mënyrat e ndërhyrjes bëhen në varësi të personalitetit të individit, llojit të ankthit dhe rëndesës së tij.
Kështu, fillesat e problemit mund të trajtohen nga punonjësi social, i cili identifikon shkaqet dhe këshillon për mënyrat e shëndetshme të funksionimit. Në rastet më të ngarkuara, kërkohet ndihma e psikologut, që nëpërmjet bashkëbisedimit, qartëson mekanizmat e shpërthimit të ankthit dhe propozon mënyra sjelljeje dhe ndërveprimi, që ndikojnë në përmirësimin afatgjatë të jetës se personit. Në raste më të komplikuara, është mjeku specialist psikiatër ai, që  duke parë shkallën e dëmtimit të funksionimit, ndërhyn me terapitë medikamentozë, për të përmirësuar edhe shënjat fizike të vuajtjes së personit.
Insistojmë në atë që, mjekimet për trajtimin e ankthit,  sot janë te mirëtestuara për efektivitetin që kanë, përmirësimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm, minimizimin e efekteve anesore dhe mungesën e varësisë; frikëra të cilat shpesh vonojnë marrjen e ndihmës në kohën e duhur.
NGA AFËR ASKUSH NUK ËSHTË NORMAL ështe logoja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe sot, ne nuk jemi aspak larg nga zgjidhja, për të qenë me shëndet mendor të mirë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*