6 viktima dhe të paktën 30 të plagosur është bilanci i një shtrëngate të furishme që shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në Greqinë veriore. Forca shkatërrimtare e stuhisë u shpërnda në zonën turistike të Halkidikit brenda një afati kohor prej vetëm 20 minutash.

Moti i stuhishëm në Greqi u ka marrë jetën të paktën gjashtë turistëve në gadishullin e Halkidikit afër Selanikut.

30 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga furtuna dhe shira të rrëmbyer që përshkuan rajonin verior të vendit.

Një çift i moshuar me shtetësi çeke u vranë mbrëmjen e së mërkurës pasi erërat e fuqishme nxorën nga rruga dhe shtynë drejt një kanali lumor makinën me të cilën ata po udhëtonin.

Një grua dhe një djalë 8-vjeçar nga Rumania humbën jetën nga shembja e çatisë së një restoranti, ndërsa një shtetas rus dhe djali i tij i vogël nuk arritën t’i mbijetojnë plagëve të marra nga rënia e një peme në qytEzën bregdetare të Potideas.

Autoritetet në zonën turistike të Halkidikit kanë shpallur gjendjen e emergjencës.

Mbi 140 forca zjarrfikëse janë mobilizuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar nga pemët e shkulura, banesat e dëmtuara dhe automobilat e përmbysur.

Në qendrat spitalore janë shtruar pacientë nga mosha 8-muajshe deri në 70 vjeç si pasojë e lëndimit nga rrëzimi i pemëve apo objekteve të tjera.

Shefi i emergjencave civile në Greqinë veriore tha se fenomeni i paprecedentë natyror e akumuloi forcën e vet shkatërrimtare brenda 20 minutave.

Në ditët e fundit, vendi mesdhetar po përjetonte temperatura të nxehta që kalonin 37 gradë Celsius.

Temperaturat e larta në kontakt me një valë të ftohtë të ardhur nga Oqeani Atlanik mendohet se këtë javë kanë krijuar një korridor shtrengatash që ka kaluar fillimisht Spanjën dhe orët e fundit edhe Italinë, Shqipërinë, Malin i Zi dhe Maqedoninë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*