
Kryebashkiaku i San Miguel Amatitlán, një qytet me rreth 7,000 banorë në jug të Meksikës, u vra nga persona të armatosur në një sulm të ndodhur të shtunën, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas zyrës së prokurorit të Oaxaca, viktima, Joel Angel Bravo Martinez, humbi jetën gjatë një “sulmi të armatosur”. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat e ngjarjes apo identitetin e autorëve.
Rajoni ku ndodhet San Miguel Amatitlán është përballur prej vitesh me aktivitet të grupeve kriminale dhe bandave të trafikut të drogës, të cilat luftojnë për kontrollin e korridoreve strategjike të transportit të narkotikëve.
Guvernatori i Oaxacës, Salomón Jara Cruz, dënoi ashpër atentatin, duke e cilësuar atë si një “vrasje frikacake”.
Në një reagim të publikuar në platformën X, ai theksoi se autoritetet nuk do të lejojnë që dhuna të mbizotërojë mbi ligjin dhe vullnetin e komuniteteve lokale.
Ndërkohë, zyra e prokurorit njoftoi se forcat e sigurisë kanë shtuar praninë policore në zonë dhe kanë nisur operacione të përbashkëta me autoritetet federale për identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës për sulmin.




