Nga Agron Brataj ,Albania Times

Më 5 nëntor do të shfaqet Hëna e plotë më e afërt me Tokën për vitin 2025
Qielli i nëntorit do të ofrojë një spektakël të jashtëzakonshëm: Superhëna e datës 5 nëntor do të jetë Hëna e plotë më e afërt me Tokën për vitin 2025, duke ndriçuar qiellin në shoqërinë e planetëve gjigantë.
Sipas Unionit Italian të Astrofizikës (UAI), kjo do të jetë “Hëna e plotë me pamjen më të madhe të vitit”, pasi do të ndodhet pranë perigeut, pika e orbitës së saj më e afërt me Tokën. Termi “Superhënë”, ndonëse jo shkencor, është tashmë i përhapur për të përshkruar këtë fenomen që ndodh kur Hëna është njëkohësisht e plotë dhe më afër planetit tonë.
Një Hënë më e madhe dhe më e ndritshme
Në mbrëmjen e 5 nëntorit, Hëna do të duket më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht, një rast ideal për të apasionuarit e qiellit. Shoqata të shumta të astrofizikës në të gjithë Italinë po përgatisin mbrëmje vëzhgimi kushtuar këtij fenomeni, por edhe yjeve të stinës së vjeshtës.
Planetët gjigantë në shoqërinë e Superhënës
Superhëna nuk do të jetë e vetme: Saturni dhe Jupiteri do të jenë të dukshëm dhe lehtësisht të vëzhgueshëm gjatë gjithë muajit.
Më 2 dhe 29 nëntor, Hëna do të jetë në konjuksion me Saturnin, i cili ndodhet në yjësinë e Ujorit.
Ndërsa më 9 nëntor, ajo do të afrohet me Jupiterin, që mund të shihet në yjësinë e Binjakëve.
Më 21 nëntor, në qendër të vëmendjes do të jetë Urani, që arrin distancën minimale nga Toka rreth 2 miliardë e 769 milionë kilometra dhe do të jetë i dukshëm për tërë natën.
Shi yjor dhe yjësitë e stinës
Spektakli në qiell nuk mbaron këtu: mes 17 dhe 18 nëntorit pritet kulmi i Leonideve, një shi yjor i formuar nga pluhurat që lë pas kometa 55P/Tempel-Tuttle.
Këto meteorë, të shpejtë dhe të ndritshëm, do të ofrojnë një shfaqje të mrekullueshme në pjesën e dytë të natës.
Në horizont, yjësitë e vjeshtës dhe dimrit do të ndriçojnë qiellin:
në perëndim, Bricjapi dhe Ujori;
më në jug, Peshqit dhe Dashi;
ndërsa në lindje do të ngrihen Demi dhe Binjakët.
Në juglindje, gjatë orëve të para të natës, do të shfaqet madhështor Orioni me Qenin e Madh, që mban yllin më të ndritshëm të qiellit Sirion.
Një ftesë për të gjithë dashamirësit e qiellit: ngrini sytë më 5 nëntor. Superhëna e vitit do t’ju shpërblejë me një spektakël të ndritshëm që nuk duhet humbur.
albaniatimes.al




