Ushtria e Gardës Revolucionare të Iranit në Ngushticën e Hormuzit konfiskoi një anije tanker të naftës të Britanisë së Madhe.

Në një deklaratë me shkrim nga Forcat Detare të Ushtrisë së Gardës Revolucionare iraniane, thuhet se ka patur një ndërhyrje në Ngushticën e Hormuzit ndaj një anije tanker të naftës me emrin “Stena Impero” me flamur britanik.

“Tankeri britanik i naftës ‘Stena Impero’ është ndaluar nga Divizioni i Parë i Forcave Detare të Ushtrisë së Gardës Revolucionare iraniane për mosrespektimin e rregullave detare”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se tankeri në fjalë pas ndërhyrjes është tërhequr në brigjet iraniane për procedura ligjore.

“Aktualisht nuk jemi në gjendje që të kontaktojmë anijen”, thuhet në një deklaratë të kompanisë që menaxhon anijen.

“Në bord të anijes ka 23 persona”, sipas deklaratës

Ministria e Jashtme britanike po kërkon urgjentisht përgjigje për këtë operacion të ushtrisë iraniane.

Lëvizja e autoriteteve iraniane vjen si kundërpërgjigje disa ditë pasi marina britanike dhe ajo e Gjibraltarit ndaluan një anije të madhe çisternë iraniane që mendohet se po transportonte naftë drejt Sirisë.

Sipas marinës britanike, cisterna iraniane do të thyente sanksionet e BE të vendosura ndaj regjimit sirian. Zyrtarë të lartë iranianë kërkuan prej ditësh që marina britanike të lironte anijen cistern të ndaluar.

Prej kohësh, tensionet në Gjirin Persik janë rritur në nivele shumë të mëdha. SHBA ka dërguar dhe anije shtesë në Gjirin Persik me justifikimin për të mbrojtur aleatët në rajon.

Ditët e fundit ushtria iraniane rrëzoi dhe një dron të kushtueshëm amerikan, për të cilin marina amerikane mori hak këtë të premte duke rrëzuar një të ushtrisë iraniane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*