Pergatiti Agron Brataj
Gaza, 19 Tetor.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Hamasi po përgatit një sulm të afërt kundër civilëve palestinezë në Gaza, një veprim që Uashingtoni e cilëson si “shkelje të rëndë të armëpushimit”. Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se nëse sulmi ndodh, do të ndërmerren masa për të mbrojtur popullatën civile dhe për të ruajtur marrëveshjen.
Ndërkohë, dy trupa të pengjeve të vrarë janë dorëzuar nga Hamasi përmes Kryqit të Kuq dhe janë pranuar nga ushtria izraelite. Njëri prej trupave i përket Ronen Engel, 54 vjeç, banor i kibucit Nir Oz, i rrëmbyer dhe vrarë nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Ushtria izraelite ka konfirmuar identifikimin e mbetjeve të tij, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se nuk do të ketë “asnjë kompromis” derisa të kthehen të gjithë pengjet.
Pika kufitare Rafah, hyrja kryesore nga Egjipti në Gaza, mbetet e mbyllur me urdhër të Izraelit. Hamasi e cilëson këtë si një “shkelje të marrëveshjes së armëpushimit” dhe akuzon kryeministrin Netanyahu për sabotim të marrëveshjes. Sipas Hamasit, vonesat në hapjen e pikës kufitare po pengojnë kthimin e trupave të tjerë të pengjeve.
Ndërkohë, vizita e nënkryetarit amerikan J.D. Vance në Izrael, e planifikuar për këtë fundjavë, është shtyrë për të martën, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në terren.
Kryeministri izraelit deklaroi gjithashtu se lufta do të përfundojë vetëm pasi Hamasi të çarmatosej plotësisht, si pjesë e “Fazës B” të planit të propozuar nga SHBA.
gazeta Albaniatimes.al





