
Bilanci i të lënduarve nga tërmeti me magnitudë 4.7 që goditi mbrëmjen e kaluar zonën e Campi Flegrei, pranë Napolit, ka shkuar në 21 persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike. Lëkundja, e regjistruar në orën 19:46, konsiderohet më e forta në 40 vitet e fundit për këtë zonë vullkanike dhe është shoqëruar me një seri pasgoditjesh. Sizmografët kanë regjistruar të paktën 30 lëkundje të tjera me intensitet të ndryshëm, duke mbajtur banorët në ankth.
Tërmeti ka shkaktuar shembje dhe dëmtime të shumta në ndërtesa, ndërsa 22 familje janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, pasi ato janë shpallur të pabanueshme. Shumë banorë të tjerë kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë, nga frika e lëkundjeve të reja. Dëmet më të mëdha janë raportuar në Pozzuoli, ku një pjesë e murit të një ndërtese në Via Pergolesi është shembur. Gurë të mëdhenj prej shtufi janë shkëputur nga godina dhe kanë rënë mbi disa automjete të parkuara, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima.
Në disa zona të Pozzuolit janë regjistruar dëmtime të fasadave të ndërtesave, ndërsa autoritetet kanë nisur shpërndarjen e ujit dhe furnizimeve bazë për banorët. Prefekti i Napolit, Michele di Bari, ka aktivizuar Qendrën e Koordinimit të Ndihmës, ndërsa Njësia e Krizës, e drejtuar nga shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano, është mbledhur menjëherë për menaxhimin e situatës. Në Napoli dhe Pozzuoli janë ngritur zona pritjeje për banorët e evakuuar.
Ndërkohë, Autoriteti Portual ka bërë të ditur se skela e Pozzuolit është dëmtuar dhe nuk mund të përdoret, duke sjellë pezullimin e përkohshëm të shërbimeve të trageteve dhe hidrofoilëve drejt ishujve. Një shtyllë e tensionit të lartë është dëmtuar pjesërisht në zonën Agnano të Napolit, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji për rreth 100 mijë familje. Gjithashtu, trafiku hekurudhor në qendrën e Napolit, përfshirë edhe linjat me shpejtësi të lartë, është pezulluar përkohësisht për kontrolle teknike të infrastrukturës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po ndjek nga afër situatën dhe zhvillimet e Njësisë së Krizës, ndërsa ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, deklaroi se të gjitha strukturat operative janë në koordinim të plotë për të garantuar ndihmën për qytetarët dhe monitorimin e zonës së prekur.




