Përgatiti Agron Brataj

Kostumet hapësinore që do të përdorin astronautët në misionet e ardhshme drejt Hënës janë duke kaluar testet e para. Ato janë zhvilluar nga kompania amerikane Axiom Space, e cila ka njoftuar se ka përfunduar 700 orë testimesh dhe po planifikon që në fillim të vitit 2026 të realizojë prova të reja në një dhomë vakumi, me një njeri të veshur me kostumin.

Zhvillimi i “kostumeve hënore” po ecën paralelisht me krijimin e modeleve të reja që do të përdoren në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS).

Kostumet që përdoren gjatë aktiviteteve jashtë anijes hapësinore (të njohura si EVA) kanë filluar të tregojnë shenja plakjeje: dizajni i tyre është pothuajse i njëjtë me atë të njësive të para që NASA mori në vitin 1982, me vetëm disa përmirësime të kufizuara.


Një alarm i parë për nevojën e zëvendësimit të tyre u ngrit në korrik 2013, kur Luca Parmitano, astronaut italian i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), përjetoi një incident gjatë një ecjeje hapësinore: helmeta e tij u mbush me ujë. EVA-t u rifilluan në shtator 2014, por një tjetër incident i ngjashëm ndodhi në mars 2022, kur Matthias Maurer, gjithashtu nga ESA, pa se vizori i tij ishte mbuluar nga një shtresë e hollë uji.


Një tjetër rast u regjistrua në qershor 2024, kur kostumi i astronautes amerikane Tracy Caldwell Dyson pësoi një rrjedhje nga sistemi i ftohjes, duke detyruar ndërprerjen e menjëhershme të ecjes hapësinore.

Përveç problemeve mekanike, astronautët kanë raportuar edhe lëndime në shpatulla dhe duar, të shkaktuara nga presioni i lartë i brendshëm, lëvizshmëria e kufizuar e dorezave, veshja e vështirë dhe mungesa e rehatisë së pjesës së sipërme të kostumit.

Dy modelet e reja të Axiom-it  një për ISS-në dhe tjetri për misionet hënore  janë thuajse identike. Megjithatë, kostumet për ISS do të kenë ndërfaqe të përputhshme me pajisjet ekzistuese në stacion, ndërsa ato për Hënën do të përshtaten për përdorim me anijet më moderne të SpaceX.


albaniatimes,al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*