Nga Agron Brataj

Indonezi, 3 Korrik 2025,
Një traget me destinacion ishullin turistik të Balit është fundosur mbrëmjen e djeshme në ujërat e Indonezisë, duke shkaktuar të paktën katër viktima dhe lënë dhjetëra persona të zhdukur.
Tragjedia ndodhi rreth orës 23:20 me orën lokale, pak minuta pasi trageti ishte nisur nga porti i Ketapang, në Java Lindore.
Sipas njoftimit të agjencisë së shpëtimit në Surabaya, në bordin e tragetit KMP Tunu Pratama Jaya ndodheshin 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, gjithsej 65 persona.
Deri më tani, janë shpëtuar 23 vetë, ndërsa kërkimet vijojnë për të zhdukurit.
Shkaku më i mundshëm i aksidentit është moti i keq. Sipas autoriteteve, deti ishte i trazuar, me dallgë që kalonin dy metra lartësi dhe me erëra të forta që vështirësonin ndërhyrjet e ekipeve të shpëtimit.
Po hetohet gjithashtu nëse numri i pasagjerëve të regjistruar përputhet me atë real, duke ngritur shqetësime për mbingarkesë të mundshme apo parregullsi në menaxhimin e udhëtimit.
Ekipet e shpëtimit ndodhen në vendngjarje dhe operacionet për kërkimin e të mbijetuarve janë ende në vijim, ndërkohë që autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në lundrimet detare për shkak të kushteve të këqija atmosferike.




