Nga Agron Brataj

MOSKË

Një tragjedi ajrore ka tronditur Rusinë Lindore, ku një avion pasagjerësh Antonov An-24 është rrëzuar me 46 persona në bord, përfshirë 40 pasagjerë , ndër ta të paktën dy fëmijë  dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë personat në bord kanë humbur jetën,

Kontrollorët e trafikut ajror humbën kontaktet me avionin të enjten, ndërsa ky ndodhej vetëm pak kilometra larg destinacionit të tij përfundimtar, qytetit Tynda, në rajonin e largët Amur, në kufi me Kinën. Avioni ishte në fluturim nga Blagoveshchensk dhe operohej nga kompania ajrore Angara, më parë e njohur si Baikal Airlines.

Konfirmimi zyrtar dhe detajet e para

Guvernatori i rajonit të Amurit, Vasily Orlov, deklaroi:

“Shërbimet e emergjencës kanë njoftuar se një avion pasagjerësh Antonov-24 që udhëtonte nga Blagoveshchensk drejt Tynda-s është zhdukur sot nga radarët.”

Avioni u zhduk gjatë fazës përfundimtare të fluturimit, dhe dyshohet se është përplasur në një zonë malore.

Gjetja e avionit

Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, një helikopter Mi-8 i Agjencisë Federale për Transportin Ajror arriti të lokalizojë fuselazhin e avionit, i cili ishte ende në flakë në momentin e gjetjes.
Zëdhënësit e Qendrës për Mbrojtjen Civile dhe Sigurinë Kundër Zjarreve të Rajonit Amur thanë se mbetjet e avionit u zbuluan në një zonë malore, rreth 16 kilometra nga qyteti i Tynda-s.

Ekipet e emergjencës janë duke punuar për të mbërritur në vendin e rrëzimit dhe për të kryer operacionet e rikuperimit. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të panjohura, por autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar arsyet e kësaj tragjedie të rëndë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*