Nga Agron Brataj Albania Times
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se “ditët e Nicolás Maduro janë të numëruara” dhe se “edhe Rusia e Kina po kryejnë teste bërthamore”, gjatë një interviste për rrjetin CBS. Megjithatë, ai ka shmangur çdo koment mbi mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Venezuelë, pavarësisht grumbullimit të madh të trupave dhe mjeteve amerikane në Karaibe.
Trump është mburrur se ka ndaluar tetë luftëra përmes strategjive negociuese dhe tarifave, duke thënë se edhe me Putinin gjërat po funksionojnë.
Rusia ka njoftuar teste bërthamore, Koreja e Veriut i kryen vazhdimisht, edhe Kina i bën por nuk flitet për to, sepse ata nuk janë shoqëri të hapura si ne, ka theksuar ai. Megjithatë, Trump ka sqaruar se nuk po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave Tomahawk në Ukrainë.
Jo, nuk po e mendoj këtë, është përgjigjur ai gjatë një bisede me gazetarët në avionin Air Force One.
Në lidhje me asetet ruse të ngrira, presidenti amerikan ka thënë se Evropa dhe Rusia po diskutojnë, por unë nuk jam pjesë e këtyre bisedimeve.
Trump kërcënon ndërhyrje në Nigeri për mbrojtjen e të krishterëve
Trump ka paralajmëruar se ushtria amerikane mund të vendosë trupa ose të ndërmarrë sulme ajrore në Nigeri, për të ndaluar siç tha ai “vrasjen e një numri rekord të të krishterëve”.
Nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, ka theksuar ai.
Machado: “Populli venezuelian e mbështet Trumpin”
Në një intervistë për Fox News, liderja e opozitës venezueliane dhe Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe 2025, María Corina Machado, ka deklaruar se shumica e bashkëkombësve të saj “mbështesin veprimet e presidentit Trump kundër karteleve të drogës dhe presionin ndaj regjimit të Maduro-s”.
Sot kemi mundësinë të ndalojmë këtë luftë, tha Machado në intervistën e zhvilluar nga Laura Trump, kunata e presidentit amerikan.
Venezuela është shembulli më i qartë i shkatërrimit që sjell socializmi dhe krimi. Një vend dikur i lirë dhe i pasur, tani është ndër më të varfrit në Amerikën Latine, shtoi ajo.
Politika e brendshme: “Operacionet e emigracionit nuk janë të mjaftueshme”
Në planin e brendshëm, Trump ka mbrojtur operacionet e ashpra të forcave federale të emigracionit, pavarësisht kritikave për dhunë policore.
Të them të drejtën, nuk janë mjaftueshëm të ashpra, tha ai, duke shtuar se shumë prej personave të arrestuar janë kriminelë ose të dëbuar nga vendet e tyre për shkak të veprave penale.
Megjithatë, Trump theksoi se administrata e tij po punon për një politikë të qartë, Nëse keni hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, do të largoheni por do të keni mundësinë të ktheheni ligjërisht.
Sulme ndaj kandidatit të majtë për kryetar bashkie në Nju Jork
Trump e ka quajtur kandidatin demokrat për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, komunist, jo socialist, dhe ka kërcënuar se do të ndërpresë miliarda dollarë fonde federale nëse ai fiton dhe zbaton politika që nuk përputhen me qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë.
Kriza e “shutdown”-it dhe thirrja ndaj demokratëve
Sa i përket mbylljes së pjesshme të qeverisë (shutdown), Trump u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë për rihapjen e qeverisë dhe të punojnë bashkë për të riparuar sistemin Obamacare, të cilin e cilësoi një dështim për qytetarët. Ai nuk ka sqaruar se çfarë nënkupton me “riparim”, por ka sugjeruar që republikanët të heqin rregullin e 60 votave në Senat për miratimin e ligjeve.
Pekini mohon testet bërthamore
Pas deklaratave të Trump-it, Kina ka reaguar menjëherë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, ka thënë se “Kina gjithmonë ka ndjekur rrugën e zhvillimit paqësor, politikën e mos përdorimit të parë të armëve bërthamore dhe ka respektuar angazhimin për ndalimin e testeve”.
Irani: Nuk është vonë për të ndryshuar kursin,
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka bërë thirrje për ndryshim kursi në politikën amerikane ndaj Teheranit.
Presidenti Trump hyri në detyrë duke premtuar t’i jepte fund mashtrimeve të Obamës dhe Bidenit në favor të Netanyahut. Ende nuk është vonë për ta bërë këtë, ka shkruar ai në platformën X.
Araghchi shtoi se pretendimet për kërcënim bërthamor iranian janë hedhur poshtë si nga Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, ashtu edhe nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, i cili ndërmjetëson shpesh mes Teheranit dhe Uashingtonit.
albaniatimes.al





