Uashington, 17 Tetor 2025 .
Takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar dhe ka zgjatur mbi dy orë e gjysmë. Tema kryesore: kërkesa e Ukrainës për furnizimin me raketat me rreze të gjatë veprimi Tomahawk.
Zelensky deklaroi se Trump “nuk tha ‘jo’, por as ‘po’”, duke lënë të hapur mundësinë për dërgimin e këtyre raketave në të ardhmen. Sipas tij, vetëm përmendja e Tomahawk-ve është një shqetësim real për presidentin rus Vladimir Putin.
Trump, nga ana tjetër, theksoi se SHBA dëshiron t’i japë fund luftës pa përshkallëzime. “Shpresoj që të mos ketë nevojë për Tomahawk. Mjaft me gjakderdhje. Le të ndalet lufta dhe le të vendosë historia kush fitoi”, u shpreh ai në një deklaratë pas takimit.
Zelensky, pas bisedimeve në Uashington, zhvilloi një video-telefonatë me liderët europianë për t’i informuar mbi përmbajtjen e takimit. Ai theksoi se Putin “nuk është ende gati për paqe”, ndryshe nga vlerësimi i Trump, i cili beson se një marrëveshje është e mundur.
Ndërkohë, pritet një takim mes Trump dhe Putin në Budapest, për të diskutuar një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë. Hungaria ka konfirmuar se do të garantojë hyrjen e presidentit rus në vend për këtë takim.





