Agron Brataj

Këshilli Bashkiak Vlorë .

Pyetje pa përgjigje për menaxhimin e plazheve publike
E nisim me pikëpyetje këtë artikull, pasi si gazetarë ende nuk arrijmë të kuptojmë qartë çfarë u vendos realisht pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak Vlorë për tarifat e plazheve publike. Pas shumë debatesh, u miratua tarifa prej 7,000 lekësh të vjetra, në një model bashkëpunimi me privatin, ku 51% i aksioneve i takojnë bashkisë dhe 49% privatit.

Nga sa u pa dhe u dëgjua në mbledhje, diskutimet dhe kundërshtimet u përqendruan thuajse ekskluzivisht te rritja e tarifës nga 5,000 në 7,000 lekë të vjetra  dhe pothuajse asgjë tjetër. Por lindin disa pyetje thelbësore:

A ka bërë bashkia një analizë të mirëfilltë për mënyrën se si do të menaxhohen plazhet në këtë formë bashkëpunimi me privatin?

A është pyetur vetë privati nëse është dakord me këtë model, kur investimi për dy shezllonë dhe një çadër arrin rreth 180 euro dhe bie tërësisht mbi të?
Kush do të bëjë faturimin dhe me çfarë sistemi?
Kush do të monitorojë zbatimin?                                                                                                                                 A ka bashkia strukturat e nevojshme të ngritura, ndërkohë që sezoni turistik është në prag?

Një tjetër çështje shqetësuese lidhet me fokusin e debatit. Disa këshilltarë kundërshtuan tarifën si të papërballueshme për pensionistët, por nuk u diskutua pothuajse fare për një problem edhe më serioz: prania e disa derdhjeve të ujërave të zeza përgjatë zonave të plazhit publik.

Pra, u fol për çmimin, por jo për shëndetin e qytetarëve që do t’i frekuentojnë këto plazhe, përfshirë familje me fëmijë.

Në përfundim, krijohet përshtypja se bashkisë i mungojnë ekspertiza ligjore dhe profesionalizmi i nevojshëm për të ndërtuar dhe zbatuar politika të qëndrueshme. Vendimmarrja duket e nxituar, strukturat të papërgatitura dhe përgjegjësia e paqartë.

Sezoni veror po afron, por në vend të qartësisë dhe organizimit, kemi më shumë paqartësi dhe dyshime. Dhe, si shpeshherë, çudia në këtë vend nuk zgjat as tre ditë, ndonjëherë as tre orë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*