Pergatiti Agron Brataj

Austin, SHBA 18 Tetor 2025
Max Verstappen konfirmon edhe një herë dominimin e tij në Formula 1, duke fituar garën Sprint dhe më pas duke siguruar “pole position”-in e tij të 47-të në karrierë në pistën e Circuit of The Americas në Austin, Teksas.
Sprinti: Kaos në kthesën e parë, përfiton Verstappen
Gara Sprint nisi me një incident të madh që përfshiu dy pilotët e McLaren, Oscar Piastri dhe Lando Norris, të cilët dolën jashtë që në kthesën e parë pas një kontakti me makinën Haas të Nico Hülkenberg. Piastri tentoi një manovër të rrezikshme duke prerë trajektoren e Norris, por u përplas me Hülkenberg, duke shkaktuar një karambol të madh që nxori jashtë loje të dy pilotët e McLaren. Incidenti u cilësua nga komisarët si një “incident gare” pa ndëshkime.
Nga ky kaos përfitoi Verstappen, i cili mori kreun dhe nuk e lëshoi më deri në fund, duke fituar Sprintin dhe duke marrë 8 pikë të çmuara në renditjen e kampionatit. George Russell (Mercedes) dhe Carlos Sainz (Williams) e ndoqën në podium, ndërsa Lewis Hamilton (Ferrari) dhe Charles Leclerc (Ferrari) u renditën respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.
Kualifikimet: Verstappen më i shpejti, por me vështirësi
Në sesionin e kualifikimeve pasdite, Verstappen arriti kohën më të mirë me 1’32″510, pavarësisht se nuk mundi të përfundonte xhiron e fundit për shkak të erës së fortë që ndikoi në performancën e makinave. Ai la pas me +0.291 sekonda rivalin e tij Lando Norris, i cili me një përpjekje të fundit siguroi vendin e dytë.
Nuk ishte e lehtë, ishte një fushatë e vështirë, deklaroi Norris, ndërsa Verstappen u shpreh i kënaqur, Një rezultat shumë pozitiv në kushte të vështira.
Në vendin e tretë u pozicionua Charles Leclerc, vetëm +0.297 pas holandezit. “Ende kemi gjëra për të kuptuar nga makina, por mësuam shumë nga Sprinti”, tha monogasku, duke vënë në dukje edhe problemet me trafikun, duke iu referuar Verstappen në një xhiro vendimtare.
Renditja aktuale në Kampionat:
Pas rezultateve të sotme, klasifikimi i pilotëve ka ndryshuar dukshëm:
-
Oscar Piastri (McLaren) 336 pikë
-
Lando Norris (McLaren) 314 pikë
-
Max Verstappen (Red Bull) 281 pikë
Me këtë fitore, Verstappen dërgon një mesazh të qartë për garën e së dielës, duke shpresuar të ngushtojë më tej diferencën me dy pilotët e McLaren në krye të klasifikimit.
Deklaratat e pilotëve pas incidentit:
Oscar Piastri: Nuk e di nëse kam bërë një gabim. Duhet ta rishikoj incidentin. Në kthesën e parë gjithmonë ka rrezik.
Lando Norris: Nuk është faji i tij. Edhe ai u godit nga një makinë tjetër.




