Nga Agron Brataj

Prej shumë vitesh, materiali kancerogjen eternit është ndaluar dhe asgjësuar në të gjithë botën. Përmbajtja e tij kancerogjene, e provuar shkencërisht, ka alarmuar vendet e zhvilluara të cilat kanë ndërmarrë fushata masive për heqjen dhe asgjësimin e tij.
Në këtë kuadër, janë ngritur ekipe të specializuara, janë investuar fonde të mëdha nga Këshilli Europian për trajnime dhe pajisje të posaçme. Janë krijuar uniforma dhe standarde të posaçme për kompanitë që merren me largimin e këtij materiali të rrezikshëm.
Por kjo nuk ndodhi në Shqipëri.
Në videon që po publikojmë, shfaqet një realitet tronditës: në zemër të Vlorës, në lagjen “10 Korriku”, gjenden ende të braktisura ish-godinat e ndërmarrjes “Perlat Rexhepi”, të ndërtuara me panele eterniti. Këto godina dhe trualli përreth janë privatizuar, por për shkak të mosmarrëveshjeve mes pronarëve dhe ndërtuesve, objekti është lënë në mëshirë të fatit.
Por ky nuk është vetëm një problem ligjor apo urbanistik është një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e banorëve përreth.
Eterniti i dëmtuar lëshon fibra të imta kancerogjene që thithen në rrugët e frymëmarrjes dhe shkaktojnë sëmundje të rënda si kanceri i mushkërive. A mund të qëndrojnë duarkryq institucionet shtetërore, shëndetësore dhe ato të qeverisjes vendore përballë një kërcënimi kaq serioz?
Ku janë institucionet shtetërore?
Ku janë strukturat e shëndetit publik?
Kush do të mbajë përgjegjësi për jetët që rrezikohen?
Ky është një apel i drejtpërdrejtë. Të gjithë janë përgjegjës, institucionet shtetërore, pushteti vendor, Inspektoriati i Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, si dhe vetë pronarët e tokës. Asnjë justifikim ligjor nuk mund të përdoret për të mbyllur sytë ndaj një rreziku që mund të marrë jetë njerëzish.
Eterniti nuk është një çështje estetike apo ndërtimore është një problem i shëndetit publik.
Kërkojmë reagim të menjëhershëm, ndëryrje profesionale dhe përgjegjësi institucionale. Heshtja dhe neglizhenca nuk janë më një opsion.




