Nga Agron Brataj

Ura e Milotit, një nga arteriet më të rëndësishme rrugore në veri të vendit, është mbyllur përkohësisht pas konfirmimit të dëmtimeve serioze në strukturën mbajtëse, duke sjellë pezullimin e plotë të qarkullimit në këtë segment.

Vendimi u mor pas një inspektimi të kryer nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, zëvendësministri i Infrastrukturës, si dhe një grup ekspertësh nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Instituti i Ndërtimit.

Specialistët kanë konstatuar dëmtime të thella në themelet e urës, të shkaktuara kryesisht nga erozioni i pandalshëm dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i shtratit të lumit Mat për materiale ndërtimi. Sipas ekspertëve, rreziku për shembje është real dhe i menjëhershëm.

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Lezhës, Valmir Nikolli, deklaroi se mbyllja ishte një masë e domosdoshme për të shmangur ndonjë tragjedi. Jemi përballë një situate të rrezikshme, ndaj u vendos mbyllja e plotë e urës dhe devijimi i trafikut në rrugë alternative, u shpreh Nikolli.

Ura, me një gjatësi prej 788 metrash, ka luajtur një rol kyç në lidhjen e veriut me pjesën tjetër të vendit. Autoritetet kanë nisur menjëherë përgatitjet për një ndërhyrje teknike emergjente që pritet të nisë brenda pak ditësh. Puna do të kryhet në bashkëpunim me strukturat akademike dhe institucionet teknike vendase.

Në planin afatgjatë, ndërtimi i një ure të re është përfshirë në programin kombëtar “100 Ura”, një iniciativë e mbështetur nga Banka Botërore. Qëllimi i këtij programi është zëvendësimi i veprave infrastrukturore të amortizuara dhe garantimi i sigurisë në nyjet më të rëndësishme të qarkullimit rrugor në Shqipëri.

Mbyllja e urës pritet të sjellë vështirësi të përkohshme në lëvizjen e automjeteve, por autoritetet premtojnë koordinim maksimal për të minimizuar ndikimin tek përdoruesit e rrugës dhe për të përshpejtuar gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*