Nga Agron Brataj
Në qytetin e Vlorës për shkak të motit të keq me erëra të forta janë pezulluar sot lundrimet e trageteve dhe mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit.
Lajmi u bë i ditur nga shefi i Kapiteneris se portit të Vlorës Z. Lorenc Rexhepaj, i cili theksoi se “në gjirin e Vlorës dhe jashtë tij gjatë datave 17-19 nëntor duke filluar nga ora 12:00 datë 17.11.2023 në drejtimin jug-juglindje dhe më pas në drejtimin veri-perëndim në forcën deri 6 bft me shpejtësi ere deri 20 m/s dhe lartësi dallge deri 1.70 m brenda gjirit të Vlorës, jashtë gjirit të Vlorës në forcën deri 7-8 bft me shpejtësi ere deri 30 m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 3.50 metra”.
Sipas shefit te Kapitenerisë, është ndaluar dhënia e lejenisjes gjatë datave 17-19 nëntor duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe të anijeve të peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Po ashtu janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë këtyre datave.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete nuk do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 19 nëntor.