Nga Agron Brataj

Rreth orës 14:30 të ditës së sotme, në zonën e Transballkanikes në Vlorë, pranë vendit të njohur si “Vola”, ka rënë zjarr në një apartament banimi, duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e banorëve të asaj banese, por edhe të gjithë pallatit.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se një pjesë e pajisjeve të kuzhinës është lënë ndezur dhe kjo mund të ketë qenë shkaktari i zjarrit, por shkaqet ende nuk janë përcaktuar me siguri.

Flakët u përhapën me shpejtësi dhe për disa momente situata ishte alarmante, pasi ekzistonte rreziku që zjarri të përfshinte gjithë godinën, duke pasur parasysh praninë e bombolave të gazit apo materialeve të tjera të rrezikshme.

Në kohë rekord kanë mbërritur në vendngjarje forcat zjarrfikëse, të cilët, pavarësisht rrezikut të lartë dhe kushteve të vështira, kanë arritur të vënë nën kontroll flakët dhe të shmangin një tragjedi më të madhe.

Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e tyre ka qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e banorëve dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë ende në vlerësim. Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit.

Zjarrfikësit, edhe një herë, u treguan heronj të heshtur, duke vënë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*