Zjarret vijojnë për të shtatë ditë në katër fshatra të Qarkut Elbasan , përpjekjet për shuarje në kushte ekstreme

Për të shtatën ditë radhazi, flakët po përfshijnë sipërfaqe të gjera pyjore në zona të vështira malore të Bashkive Elbasan dhe Librazhd. Terreni i thyer, bimësia e dendur dhe temperaturat ekstreme e kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen për shuarjen e zjarreve.

Një nga vatrat më problematike mbetet ajo në zonën malore të Shmilit, e cila është aktive që nga e shtuna e kaluar. Flakët kanë përfshirë pyje, shkurre dhe pemëtari, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore.

Sipas Drejtorit të Emergjencave Civile në Bashkinë Elbasan, z. Ndriçim Sinani, mbi 90 efektivë janë angazhuar çdo ditë në operacionet për fikjen e zjarreve, përfshirë zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, emergjencat civile dhe punonjës të bashkisë. Në terrene ku automjetet nuk mund të depërtojnë, ndërhyrja bëhet me mjete rrethanore dhe me ndihmën e komunitetit lokal.

Edhe këtë fundjavë, një vatër aktive në masivin pyjor Lugaxhi – Dritas po mbahet nën kontroll me vështirësi të mëdha. Disa vatra janë izoluar, por puna për shuarjen përfundimtare vijon.

Ndërkohë, flakët janë përhapur edhe në zonat pyjore të fshatrave Orenjë, Gurakuq dhe Kostenjë në Bashkinë e Librazhdit, duke rritur ndjeshëm sipërfaqen e prekur. Partizan Ballolli, shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri në Librazhd, deklaron se forcat në terren, përfshirë edhe banorë të zonës, po punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Autoritetet konfirmojnë se aktualisht nuk ka rrezik për banesat apo jetën e banorëve, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Një vatër e re është identifikuar së fundmi në zonën e quajtur “Guri i Muzhaqit”, duke shtuar sfidat për ekipet e angazhuara.

Përpjekjet për izolimin dhe fikjen e plotë të të gjitha vatrave do të vijojnë pa ndërprerje. Ndërkohë, autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga komuniteti dhe për vigjilencë të shtuar, sidomos në këtë periudhë me temperatura që në zonat malore po arrijnë deri në 40°C, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve.

Gjatë muajit korrik, në Qarkun e Elbasanit janë regjistruar dhjetëra vatra zjarri, ndër të cilat më i madhi ishte ai që përfshiu rreth 40 hektarë në zonën e Belshit dhe në Shmil të Elbasanit, ku zjarri mbetet ende aktiv.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*