Nga Agron Brataj

Situata në malin e Shpiragut në qarkun e Beratit vijon të jetë kritike, ndërsa flakët e zjarrit po u afrohen gjithnjë e më shumë zonave të banuara. Fshatrat Galinë dhe Paftal janë më të rrezikuarit për momentin, pasi zjarri ka përparuar ndjeshëm dhe ndodhet shumë pranë banesave.
Që prej ditës së djeshme, qindra forca zjarrfikësish me mbi 40 mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga forca të ushtrisë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, janë angazhuar intensivisht në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Helikopterët po kryejnë hedhje uji nga ajri, ndërsa në terren janë përqendruar forcat e Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Poshnja dhe njësitë vendore të emergjencave civile.
Burime nga vendngjarja konfirmojnë se operacioni është përqendruar kryesisht në kufijtë e fshatrave Galinë dhe Paftal, ku zjarri po kërcënon drejtpërdrejt banesat. Sipas zjarrfikësve, prioriteti kryesor është mbrojtja e jetës dhe pronës së banorëve dhe ndalimi i përhapjes së mëtejshme të flakëve në zonat e banuara.
Ndërkohë, edhe vetë banorët janë përfshirë në përpjekjet për të mbajtur larg zjarrin. Ata shprehen të shqetësuar për mungesën e një njoftimi zyrtar për evakuim, pavarësisht se flakët ndodhen fare pranë shtëpive të tyre. “Po presim me shpresën që zjarri të devijojë drejtim. Kemi frikë, por askush s’na ka thënë të largohemi,” thotë një banor i fshatit Galinë. Sipas tyre, ky është viti i parë që përballen me një zjarr të kësaj përmase në afërsi të komunitetit.
Dëmet e shkaktuara nga zjarri në sipërfaqet pyjore janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet lokale dhe qëndrore po bashkëpunojnë për koordinimin e operacionit dhe mbajtjen nën kontroll të situatës.
Emergjencat Civile u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin me kujdes udhëzimet e autoriteteve dhe të jenë të gatshëm për çdo zhvillim të mundshëm në orët në vijim.




