Nga Agron Brataj Vlorë, 3 Gusht 2025

Sot në portin e Vlorës kanë mbërritur dy tragete të kompanisë StarLines, përkatësisht “Ionian Star” dhe “European Star”, të cilat kanë transportuar gjithsej 1,236 pasagjerë dhe 250 automjete nga brigjet italiane drejt Shqipërisë.
Në veçanti, trageti “Ionian Star” ka realizuar një zbarkim rekord, duke përfunduar procesin e shkarkimit të pasagjerëve dhe mjeteve brenda vetëm 20 minutash. Ky operacion efikas ka qenë rezultat i një organizimi të shkëlqyer nga Policia Kufitare e Vlorës.
Shefi i pikës kufitare, Agron Biti, ka vënë në dispozicion të gjitha sportelet funksionale të terminalit, duke përshpejtuar ndjeshëm procedurat hyrëse dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pasi përfundoi zbarkimin, “Ionian Star” u nis menjëherë sërish drejt brigjeve italiane, nga ku pritet të rikthehet mbrëmjen e sotme rreth orës 19:00, duke sjellë një tjetër fluks prej rreth 800 pasagjerësh dhe 200 automjetesh.
Muaji gusht po shënon një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve që zgjedhin të udhëtojnë nga Italia drejt Shqipërisë. Sipas të dhënave të agjencisë detare Euroferries, e cila përfaqëson tragetet e kompanisë StarLines, java e parë e gushtit pritet të vijojë me të njëjtin ritëm të lartë udhëtimesh.
Kjo rritje dëshmon rëndësinë gjithnjë e më të madhe të linjës detare Itali–Shqipëri dhe vendos në pah nevojën për investime të mëtejshme në infrastrukturën portuale dhe shërbimet kufitare për të përballuar fluksin në rritje të pasagjerëve gjatë sezonit turistik.




