Nga Agron Brataj

Shpeshherë i gjykojmë, i kritikojmë, madje dhe i ofendojmë. I kundërvihemi kur na ndalojnë në rrugë, mërzitemi kur na vendosin një gjobë dhe rrallë e pyesim veten: A e merituam? A i kemi respektuar rregullat?
Harrojmë se përballë kemi njerëz si ne që nuk kanë fjalë sharjesh në fjalorin e tyre edhe kur i sulmojmë me nerva.
Janë aty për të na sqaruar, për të na kërkuar dokumentacionin, për të mbajtur rendin dhe për të na shërbyer, jo për të na ndëshkuar pa arsye.
Askush nuk e vlerëson sakrificën e tyre të përditshme. Janë aty në piskun e vapës, nën diell përvëlues, pa hijen më të vogël. Janë aty edhe në mes të shirave, edhe në stuhi, edhe në orët e vona të natës. Nuk ka festë apo pushim për ta. Sepse rruga nuk pret. Sepse trafiku nuk ndalet. Sepse aksidentet ndodhin, dhe ata janë të parët që mbërrijnë në vendngjarje.
Janë aty tek vijat e bardha, për të ndalur automjetet dhe për të kaluar fëmijët, të moshuarit, këmbësorët. Janë aty për të ndihmuar, për të orientuar turistët, për të qetësuar situatat që në një çast mund të kthehen në kaos.
Dhe për çudi, në gjithë këtë përkushtim, rrallë ndonjëherë ndokush u ofron një gotë ujë të ftohtë në mes të gushtit, as një fjalë mirënjohjeje, as një buzëqeshje.
Vetëm disa ditë më parë, një video që postova më preku thellë. dy turistë italianë kishin humbur rrugën. Një efektiv i Policisë Rrugore të Vlorës, Araniti i njohur si polici shembullor i trafikut i shoqëroi me motorin e tij deri te hoteli “Bologna”. Pa shumë fjalë, pa kamera, pa show. Thjesht një akt i bukur njerëzor, si shumë të tjera që ndodhin çdo ditë dhe kalojnë pa u vënë re.
Respekt dhe mirënjohje për Policinë Rrugore të Vlorës. Një falënderim i veçantë për shefen e tyre, zonjën Refie, një grua e përkushtuar, që nuk lë asnjë qytetar pa përgjigje dhe pa zgjidhje. Një shembull drejtuesi që të dëgjon, të respekton dhe që e kupton se shërbimi publik nuk është privilegj, por përgjegjësi.
Këta janë heronjtë tanë të përditshëm. Të heshtur, pa shumë bujë, por gjithmonë aty ku duhet. Imagjinoni për një moment një qytet pa ta. Si do të dukej Vlora pa kontrollin e tyre, pa ndërhyrjen e tyre, pa përkushtimin e tyre?
Ndoshta ka vend për përmirësim, për më shumë komunikim apo transparencë. Por një gjë është e sigurt: pa këta njerëz, kaosi do të ishte më i madh dhe siguria më e brishtë.
Prandaj sot, në emër të çdo qytetari që vlerëson shërbimin, dua t’ju them: Faleminderit! Ju shohim. Ju respektojmë. Dhe ju jeni më shumë sesa thjesht zbatues të rregullave. Ju jeni mburoja e rrugëve tona dhe fytyra e përgjegjshme e shtetit në lëvizje.




