Nga Agron Brataj

Porti i Vlorës peng i privatit: Turizmi niset mbarë, por Infrastruktura e shekullit të kaluar Po na turpëron

Në Portin e Vlorës ka nisur zyrtarisht sezoni turistik, me 365 pasagjerë dhe 68 automjete që kanë mbërritur vetëm në një ditë të vetme. Ky është një sinjal i qartë se Vlora po hyn në një sezon të mbarë për turizmin, duke ringjallur shpresat e operatorëve turistikë, bizneseve lokale dhe gjithë ekonomisë së zonës. Por, si gjithmonë, një problem i kahershëm vazhdon të zbehë çdo përpjekje për zhvillim: infrastruktura e mjerë portuale.

Në vend që të jetë porta moderne dhe efikase e Jugut, Porti i Vlorës është kthyer në një pengesë serioze për vizitorët dhe për institucionet që duhet të kryejnë procedurat e regjistrimit të pasagjerëve dhe automjeteve.

Firma private që menaxhon portin e cila, kujtojmë, e ka blerë për vetëm 1 euro  ka vënë në dispozicion një hapësirë krejtësisht të papërshtatshme për përballimin e fluksit.

Në këtë hapësirë të kufizuar kalojnë makina, kamionë, autobusë dhe pasagjerë, të gjithë së bashku, në kaos dhe vonesa të pafundme.

Turistët, në vend që të fillojnë pushimet me buzëqeshje, përballen me rradhë të gjata dhe pritje të lodhshme që hedhin hije të rënda mbi përvojën e tyre në Shqipëri.

Përpjekjet e institucioneve për të ndryshuar situatën kanë hasur në një mur të padukshëm por të hekurt veshët e shurdhër të privatit që mban peng portin.

Ankesat shkojnë dëm, zërat injorohen, dhe investimet e mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturën rrugore, bregdetare dhe turistike rrezikojnë të zhvlerësohen për shkak të një pikë hyrëse të mbetur në epokën e zvarritjeve dhe papërgjegjshmërisë.

Ky nuk është më një problem teknik. Ky është një pengmarrje ekonomike dhe turistike, dhe përgjegjësit janë të qartë  privatët që, nën petkun e investitorëve strategjikë, po shfrytëzojnë një port të një rëndësie kombëtare pa asnjë ndjeshmëri ndaj interesit publik.

Koha për të ndërhyrë është tani. Porti i Vlorës nuk mund të vazhdojë të jetë një “vrimë e zezë” që gëlltit gjithë përpjekjet për zhvillim. Nëse nuk merren masa urgjente për rikthimin e funksionalitetit dhe standardeve të duhura, atëherë faji nuk do të jetë më vetëm i privatit  por i çdo institucioni që hesht.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*