Nga Agron Brataj

Premtimet për standarde europiane përplasen me realitetin: pas stuhisë, ujë deri në gju dhe asnjë pompë për tërheqje nga autoritetet portuale.
Viti 2025. Shqipëria aspiron të jetë një destinacion turistik elitar në Mesdhe, ndërsa në terren, realiteti i përditshëm i udhëtarëve përplaset me mjerimin e infrastrukturës dhe mungesën flagrante të përgjegjësisë institucionale.

Pamjet tronditëse nga Porti i Vlorës pas stuhisë së një dite më parë janë dëshmi e gjallë se slogani Shqipëria turistike ka mbetur vetëm propagandë.

Në një situatë që do të ishte e papranueshme edhe në një vend pa pretendime turistike, Policia Kufitare ka bërë të pamundurën për të menaxhuar përpunimin e rreth 2000 pasagjerëve dhe 500 automjeteve, të bllokuar në përmbytjen e plotë të terminalit.

Uji kishte arritur deri në gju, dhe në këto kushte, efektivët e policisë, pa asnjë pajisje teknike dhe ndihmë logjistike, nisën punën për të garantuar imbarkimin e tragetit drejt Italisë.

Në terminal, në kulmin e përmbytjes, ndodheshin rreth 800 pasagjerë dhe 200 automjete, të cilët nuk kishin asnjë informacion dhe asnjë lloj asistence nga autoritetet portuale që menaxhojnë terminalin. Asnjë pompë, asnjë reagim, asnjë përpjekje për të tërhequr ujin apo për të siguruar kushte minimale operimi.

Ironia më e madhe qëndron te fakti se çdo pasagjer paguan 5 euro taksë për kalim, çdo automjet 10 euro, dhe kjo tarifë absurde aplikohet edhe për fëmijët e sapolindur. Këto të ardhura të përditshme që në sezonin turistik kapin shifra të konsiderueshme duket se nuk investohen aspak në përmirësimin e infrastrukturës bazë të portit.

Dhe këtu qëndron thelbi i problemit.

Sot, ambientet e portit të Vlorës janë marrë nga një subjekt privat, i cili e ka kthyer zonën në një kantier të çrregullt dhe jashtë çdo standardi. Drejtoria e Portit, edhe pse mbledh të ardhurat nga pasagjerët, nuk ka më asnjë të drejtë mbi territorin, madje as për të ndërruar një llambë elektrike të djegur.

Ky paralizim funksional dhe juridik bën që asnjë ndërhyrje e domosdoshme si në rast përmbytjesh, emergjencash, apo edhe për mirëmbajtje bazë të mos mund të kryhet.

Kjo situatë nuk është vetëm një skandal momental është një simptomë e thellë e një sistemi të braktisur, ku prioritet nuk është shërbimi ndaj qytetarit apo imazhi i vendit, por përfitimi i shpejtë dhe mungesa e transparencës.

Ndërkohë që nëpër studio televizive dhe konferenca për shtyp flitet për “turizëm cilësor” dhe “Shqipëri mikpritëse”, pasagjerët në Portin e Vlorës kalojnë kufirin me këmbë në ujë, në kushte që nuk do të toleroheshin në asnjë vend të qytetëruar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*