Monopatinat dhe mjetet elektrike në Lungomare: Lejohen apo ndalohen? Koha për qartësi ligjore dhe zbatim të barabartë të rregullave

Vera sapo ka nisur dhe zona turistike e Lungomares në Vlorë është mbushur si çdo sezon me pushues, biznese dhe mjete alternative transporti, si monopatina dhe motorra elektrikë. Por, bashkë me këtë fluks ka ardhur edhe një kaos institucional, i cili ka krijuar pasiguri, keqkuptim dhe në disa raste edhe pasoja serioze për qytetarët.

Bashkia e Vlorës, herë pas here, del me deklarata të papritura duke thënë se “nuk lejohen monopatinat” apo “nuk lejohen motorët me bateri”. Megjithatë, në realitet, bizneset private vazhdojnë t’i ofrojnë me qira këto mjete në çdo cep të Lungomares, pa asnjë ndalim apo kufizim të dukshëm.

Pas Bashkisë, edhe Policia Bashkiake duket se ndjek të njëjtin qëndrim: deklaron se këto mjete nuk lejohen, por në praktikë, toleron aktivitetin e tyre. Në shumë raste, qytetarët raportojnë për sjellje selektive: ata që kanë “një mik të mirë” apo që japin ndonjë shpërblim informal, tolerohen, të tjerëve u konfiskohen mjetet dhe u vendosen gjoba, madje edhe klientëve që i përdorin këto mjete.

Brenda muajit maj janë regjistruar mbi tetë aksidente nga monopatinat dhe mjetet elektrike, përfshirë adoleshentë dhe turistë. Një aksident i rëndë ndodhi së fundmi me një motorr elektrik, ku një i ri pësoi dëmtime serioze. Në një tjetër rast, dy monopatina u përplasën me një automjet duke shkaktuar panik te kalimtarët.

Shtrohet pyetja thelbësore: A lejohen apo nuk lejohen monopatinat dhe mjetet elektrike në Lungomare? Nëse lejohen, është urgjente të përcaktohet:

  • Mosha minimale e përdoruesve

  • Zonat ku mund të qarkullojnë (korsi biçikletash apo rrugë të tjera)

  • Detyrimet për pajisje mbrojtëse si helmetat

  • Rregullat për bizneset që i ofrojnë me qira

Nëse nuk lejohen, atëherë Bashkia dhe Policia Bashkiake duhet të ndalojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të drejtë dhe të njëjtë për të gjithë, jo me selektivitet apo abuzim. Duhet sqaruar në mënyrë të prerë përse lejohen të ekspozohen në publik, përse jepen me qira lirshëm, ndërkohë që përdoruesit gjobiten dhe ndëshkohen më pas.

Ka ardhur koha që institucionet vendore të marrin përgjegjësi dhe të japin qartësi të plotë mbi këtë çështje. Qytetarët nuk mund të ndëshkohen për pasigurinë ligjore të atyre që duhet të organizojnë jetën publike, jo ta fusin në rrëmujë.

Në fund, nëse mjetet lejohen, vendosni rregulla dhe zbatojini për të gjithë. Nëse nuk lejohen, atëherë mbyllni bizneset që i ofrojnë dhe mos lejoni që paratë e sezonit veror të jenë arsyeja pse mbyllim sytë para ligjit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*