Sezoni turistik në Portin e Vlorës nis me vrull, por infrastruktura ngec në vend
Nga gazetari Agron Brataj .

Sezoni turistik në bregdetin shqiptar duket se këtë vit ka filluar më mbarë se kurrë më parë. Porti i Vlorës po përjeton një rritje të ndjeshme të fluksit turistik, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një nga arsyet kryesore të këtij trendi të ri është ekspozimi i madh ndërkombëtar që Shqipëria mori pas transmetimit të etapës shqiptare të Giro d’Italia, e cila u ndoq në mbi 200 vende të botës. Ky event shërbeu si një reklamë e fuqishme për vendin, veçanërisht për Rivierën Shqiptare.
Në Portin e Vlorës tashmë janë të shumtë turistët e huaj që mbërrijnë me motorra dhe kampera, të organizuar në grupe dhe me itinerare të qarta për të eksploruar bregdetin shqiptar.
Megjithatë, përballë këtij entuziazmi turistik, infrastruktura portuale vazhdon të mbetet një pikë e dobët. Porti i Vlorës, ndonëse një pikë hyrëse strategjike për turizmin, është lënë në mëshirë të fatit nga kompania private që e administron. Përkundër dëshirës dhe përkushtimit të Drejtorisë së Portit për të mirëmbajtur ambientet dhe për t’i shërbyer më mirë turistëve, mungesa e investimeve dhe kompetencave ka bërë që shumë çështje të mbeten pezull.
Në këtë kontrast, duhet vlerësuar puna e shkëlqyer e Policisë Kufitare, e cila ka bërë maksimumin për të lehtësuar procesin e zbarkimit të pasagjerëve dhe mjeteve në terminal. Siç shihet dhe në video, efektivët ndodhen në terren, marrin dokumentacionin e mjeteve dhe e përpunojnë atë në zyrat e brendshme për të shmangur vonesat dhe rradhët e gjata. Ky organizim ka qenë jetik për të garantuar një përvojë të qetë për turistët që sapo mbërrijnë në vend.
Por mbetet për t’u parë sa do të zgjasë kjo mënyrë organizimi. Kemi hyrë vetëm në fillimin e sezonit dhe muaji gusht pritet të jetë pika kulmore e fluksit turistik. Është e domosdoshme që institucionet përkatëse të marrin masa konkrete, sidomos në drejtim të infrastrukturës portuale, në mënyrë që ky trend pozitiv të mos shndërrohet në një krizë organizative në kulmin e verës.
Turizmi është një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare dhe Porti i Vlorës mund të kthehet në një portë hyrëse të standardeve europiane, por vetëm nëse ndërhyhet tani, para se të jetë tepër vonë.





