
Një tjetër episod i dhunës me armë ka tronditur Shtetet e Bashkuara, vetëm tre muaj pas te shtënave në Utah Valley University ku u vra aktivisti i djathtë Charles James Kirk. Këtë herë, skena e tragjedisë ka qenë Brown University, një nga universitetet më prestigjioze të Ivy League, në Providence të Rhode Island-it, pranë Bostonit.
Bilanci zyrtar paraprak flet për dy studentë të vrarë dhe tetë të tjerë të plagosur rëndë, si dhe një person me lëndime të lehta. Disa media amerikane raportojnë se numri i të prekurve mund të arrijë deri në 20. Autori i dyshuar i te shtenave është ende në arrati.
Sipas hetuesve, bëhet fjalë për një burrë të veshur me të zeza, identiteti i të cilit mbetet i panjohur. Autoritetet shpresojnë ta identifikojnë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të kampusit dhe zonave përreth, ashtu siç ndodhi edhe në rastin e mëparshëm në Utah.
Ngjarja ndodhi pranë ndërtesës Barus & Holley, një strukturë shtatëkatëshe që strehon Fakultetin e Inxhinierisë dhe Departamentin e Fizikës. Godina përfshin 117 laboratorë, 150 zyra, 15 salla mësimi dhe 29 salla mbledhjesh. Të shtunën zhvillohej dita e dytë e provimeve përfundimtare të semestrit vjeshtor, çka kishte sjellë një prani të madhe studentësh në kampus.
Të shtënat e para u dëgjuan në mes të pasdites, duke shkaktuar panik mes studentëve. Universiteti lëshoi menjëherë një alarm emergjence, duke u kërkuar të gjithë personave të mbylleshin në ambiente të sigurta, të kyçnin dyert, të heshtnin telefonat dhe të qëndronin të fshehur deri në njoftim të dytë. Në një njoftim fillestar u raportua gabimisht arrestimi i një të dyshuari, lajm që u përgënjeshtrua pak më vonë pasi personi i ndaluar rezultoi i palidhur me ngjarjen.
Ky informacion i pasaktë u shpërnda edhe nga presidenti Donald Trump në rrjetin social Truth, përpara se të korrigjohej. Reagimi i presidentit u kufizua në disa fjalë ngushëllimi (“çfarë gjë e tmerrshme”) dhe një thirrje për lutje, pa ndonjë koment mbi problemin e përhapur të armëve të zjarrit në SHBA.
Ndërkohë, studentët e bllokuar në kampus nën masa sigurie komunikonin me familjarët për t’i qetësuar dhe ndanin dëshmitë e tyre drejtpërdrejt me mediat amerikane, mes frikës dhe dhimbjes për tragjedinë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë personave në kampus dhe banorëve të zonave përreth të qëndrojnë brenda dhe të tregojnë kujdes maksimal, pasi i dyshuari mund të jetë ende i armatosur. Policia e Providence ka publikuar në rrjetin X një video të shkurtër ku shihet i dyshuari duke u larguar nga ndërtesa drejt Hope Street. Në pamje, personi shihet vetëm nga pas dhe fytyra nuk është e dallueshme. Sipas dëshmitarëve, ai mund të ketë mbajtur një maskë kamuflazhi gri, ka deklaruar zëvendësshefi i policisë së Providence, Timothy O’Hara.
Aktualisht, rreth 400 efektivë të forcave të rendit janë angazhuar në kërkimin e autorit dhe autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij.




