Nga Agron Brataj
Vlora Marina, një pengesë shumëvjeçare që po dëmton qytetin dhe bizneset përreth Bashkia dhe policia bashkiake \ të padukshme përballë gjigantit “Vlora Marina”

Pas shumë vitesh ndërtimi dhe mungesë transparence, projekti “Vlora Marina” është kthyer në një nga shqetësimet më serioze për banorët dhe bizneset përreth portit të Vlorës. Ajo që dikur u promovua si një zhvillim madhor për qytetin, sot perceptohet nga shumë qytetarë si një burim ndotjeje, kaosi urban dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë lokale.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me ndotjen e ambientit nga pluhurat që gjenerohen në kantierin e ndërtimit, kryesisht nga përdorimi i materialeve të ndërtimit si çimentoja. Kamionët që hyjnë e dalin nga zona e kantierit ngrejnë sasi të mëdha pluhuri, duke e bërë të pamundur shfrytëzimin e ambienteve të jashtme të lokaleve, sidomos gjatë sezonit turistik.
Bizneset që ndodhen në zonë shprehen të zhgënjyera dhe të pafuqishme përballë kësaj situate. Shumë pronarë lokalesh ankohen se, ndonëse kanë paguar taksat bashkiake (si Taksën për Shfrytëzimin e Sipërfaqes Publike (SLP), nuk janë në gjendje të operojnë normalisht për shkak të ndotjes. Ambientet që në teori duhet të shërbejnë për klientët janë të mbuluara nga pluhuri dhe pa asnjë ndërhyrje për përmirësimin e situatës.
Banorët dhe bizneset shprehin pakënaqësi edhe për rolin pasiv të bashkisë dhe të policisë bashkiake, që akuzohen se kanë mbyllur sytë përballë shkeljeve të mëdha që vijnë nga kantieri i “Vlora Marina”. Sipas tyre, kontrolli dhe ndëshkimi i institucioneve lokale është selektiv: policia bashkiake, e kryesuar nga një person i njohur në qytet me emrin “Luani”, i vetëshpallur si figurë udhëheqëse, ushtrojnë presion dhe vendosin gjoba ndaj bizneseve të vogla, ndërsa nuk guxojnë të ndërhyjnë apo të kontrollojnë aktivitetin e këtij projekti të madh.
Kjo situatë ka krijuar një perceptim të gjerë se ka një standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit ku bizneset e vogla dhe qytetarët e zakonshëm ndëshkohen, ndërsa investitorët e mëdhenj nuk preken.
Qyteti i Vlorës në rrezik nga zhvillimet që dëmtojnë më shumë se sa sjellin përfitim
Ndërkohë që qyteti i Vlorës përpiqet të ripozicionohet si një destinacion turistik dhe ekonomik i rëndësishëm, është e domosdoshme që zhvillimet e mëdha urbanistike të ndjekin standarde të qarta të mbrojtjes së mjedisit dhe të mirëqenies së komunitetit lokal. Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të ndalur ndotjen dhe për të rikthyer rendin institucional, rrezikohet të humbasë jo vetëm cilësia e jetës për banorët, por edhe imazhi i qytetit si një vend mikpritës dhe i qëndrueshëm për turizëm dhe investime.




