Pas mbylljes së votimeve, kutitë u transportuan në KZAZ për të filluar më pas numërimin prej orës 21:00 të mbrëmjes së të dielës në pjesën më të madhe të bashkive, me përjashtim të Peqinit. Ndërkohë që në 29 bashki kanë dalë fituesit, në 31 bashki vijon ende numërimi.
Janë shpallur fituesit në Pustec, Konispol, Libohovë, Fushë Arrëz, Memaliaj, Kolonjë, Belsh, Himarë, Roskovec, Poliçan, Vorë, Lushnje, Skrapar, Prrenjas, Mallakastër, Malësi e Madhe, Pukë, Ura Vajgurora, Librazhdi, Gramshi, Divjaka, Bulqiza, Hasi, Vau i Dejes, Kavaja, Delvina, Selenica, Fieri dhe Tropoja. Erion Veliaj ka arritur një fitore të shkëlqyer në Tiranë duke u rikonfirmuar.
Pavarësisht bojkotit të PD-së dhe ish-aleatit LSI, në votime kanë shkuar mbi 171 mijë qytetarë të Tiranës.
Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Korçës, Sotirq Filo edhe pse fitorja e tij nuk është publikuar ende zyrtarisht, për shkak të diferencës së madhe të votave në favor të tij, ka bërë që ai të dal në një prononcim për mediat ku ka falenderuar të gjithë votuesit dhe ata që e kanë mbështetur gjatë fushatës.
Filo ka deklaruar se rëndësishme është që qytetarët votuan të qetë dhe nuk u shënuan incidente pavarësisht situatës të fryrë nga militantët e PD dhe të LSI. Në fund ai ka thënë se do të punojë për të gjithë qytetarët pa bërë dallime nëse ata votuan atë apo kundërshtarin e tij.
“Jam shumë i lumtur që banorët e Korçës me kanë votëbesuar për një mandat te ri. Procesi zgjedhor… ishte e rëndësishme që u bënë të qeta. Në fund ishte me sukses me zgjedhje demokratike. Ata që donin votuan. Dëshiroj të falenderoj të gjithë ata votues që u paraqitën dhe më votuan. Dëshiroj t’ju them edhe atyre që votuan kandidatin tjetër dhe atyre që nuk votuan fare, që do të përkushtohem për katër vitet pavarësisht për kë kanë zgjedhur. Kemi mbyllur një mandat të rëndësishëm për Korçën. Ajo që është e rëndësishme është ajo që na pret. Kemi shumë punë përpara. Tashmë duhet ti çojmë në projekte konkrete për çdo familje të Korçës” ka thënë Filo.
Sotiraq Filo ka marrë 20831 vota ndërsa kundërshtari i tij politik Leonard Olli i cili kandidoi nën siglën e Bindjes Demokratike ka marrë 1759 vota. Nga ana tjetër kanë dalë në total edhe 1902 vota të pavlefshme.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, në një deklaratë për mediat, tha se transmetimi i të dhënave paraprake për votuesit në total dhe pjesëmarrjen, shfaq pasiguri për rezultatet reale. Zguri tha se raportimi i të dhënave është bërë me telefonata, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara që janë bërë përmes sistemit elektronik.
“Janë të dhëna jo zyrtare dhe të marra me telefon, cka sjell pasiguri për shifrat e raportuara. Zgjedhjet e kaluara raportimi është bërë nga qendrat e votimit në sistemin elektronik. Kjo rrit pasigurinë lidhur me shifrat e publikuara”, tha Zguri
Sipas Zgurit, ky ose është tregues paaftësie ose parregullsie. “Kjo do të zbulohet nga një proces i kujdesshëm hetimi administrativ“, tha ai, duke kërkuar bashkëpunimin e subjekteve zgjedhore që vënë në lëvizje KQZ-në. “Kolegët t’i ndjekin nga afër raportimet mediatike të sjellin qartësi t ëplotë për këtë problematike”, tha Zguri.
Komisioni Qendror Zgjedhor sqaron hendekun e shifrave të krijuar mes pjesëmarrjes së publikuar ditën e djeshme pas mbylljes së procesit të votimit me atë të listës së fituesve. Përmes zëdhënëses së saj Drilona Hoxhaj, KQZ sqaron se rezultatet e publikuara ditën e djeshme janë sjellë nga komisionerët në rrugë jo zyrtare, por përmes telefonatave me komisionerët.
Sipas saj disa komisionerë nuk kanë dërguar kutitë me procesverbale në disa prej qendrave të votimit. Ajo u shpreh se KQZ do veprojë me seriozitetin më të madh.
Deklarata e plotë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson të sqarojë se, sikundër është theksuar si nga zëdhënësja dhe drejtuesi i KQZ, të dhënat e pasqyruara nga KQZ në intervale periodike kohore gjatë ditës së djeshme dhe që gjenden edhe në faqen onlinë të institucionit, janë informacione të siguruara në rrugë operative (me telefon) nga Komisionet e Qendrave të Votimit.
Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përundimtar të votimit.
Kjo është një vendimmarrje shumëvjeçare e legjislatorit shqiptar përmes Kodit Zgjedhor dhe vendimmarrjes së KQZ-së ndër vite që, në dilemën për të mos dhënë asnjë informacion apo për të dhënë një informacion paraprak, ka zgjedhur këtë fundit, në mënyrë që ti mbajë qytetarët të informuar, por pa pretenduar saktësinë absolute, e cila vjen vetëm në përfundim të procesit.
Ky është një fenomen i cili është evidentuar në çdo proces zgjedhor, por duke qenë se vëmendja kryesore ka qenë tek rezultati, ndërkohë që aktualisht është edhe tek pjesëmarrja, këtë radhë po evidentohet me dukshëm.
Kjo problematikë e mbarsur mund të zgjidhet vetëm në rast se procesi i votimit bëhet tërësisht përmes teknologjisë.

Përfundon procesi i numërimit të votave në Selenicë. Pëllumb Binaj kandidat i PS shpallet fitues me 5819 vota. Kandidati i BD Marildo Hodaj ka marrë 401 vota ndërsa kandidati i PKSH Shahin Çelaj ka marrë 73 vota.




