Nga Agron Brataj

Virusi i Nilit Perëndimor, 28 raste në Lazio \ virusi afër Romës. Rast edhe në një kalë në Catania
Dy të infektuar me sindromë neurologjike. Emergjenca në Campania. Teste të detyrueshme për dhuruesit e gjakut në Rajon

Virusi i Nilit Perëndimor ka mbërritur në afërsi të Romës. Janë regjistruar dy raste në provincë, në bregdetin jugor në zonën e Anzio dhe Nettuno. Në gjithë rajonin e Lazios janë konfirmuar shtatë raste të reja, sipas analizave të kryera nga Laboratori i Virologjisë i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektive “Lazzaro Spallanzani” IRCCS.

Nga 7 rastet e reja, 2 kanë shfaqur sindromë neurologjike, ndërsa 5 janë diagnostikuar me ethe të shkaktuara nga virusi i Nilit Perëndimor. Me këto konfirmime të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vitin 2025 arrin në 28 në Lazio, 26 raste janë regjistruar në provincën e Latinës (përfshirë një paciente që ndërroi jetë javën e kaluar në spitalin e Fondit) dhe 2 raste në provincën e Romës.

Nga 28 rastet e konfirmuara:

11 pacientë janë aktualisht të shtruar në pavione të zakonshme për patologji të tjera,

3 janë lëshuar nga spitali,

11 janë në trajtim në shtëpi,

2 pacientë janë në kujdes intensiv,

1 person ka ndërruar jetë.

Në provincën e Latinës, komunat ku dyshohet se ka ndodhur ekspozimi janë: Aprilia, Cisterna di Latina, Fondi, Latina, Pontinia, Priverno, Sezze, Sabaudia.

Në provincën e Romës, komunat janë: Anzio dhe Nettuno. Dje është mbajtur një mbledhje e grupit drejtues të përbërë nga Rajoni i Lazios, Instituti Spallanzani, Instituti Zooprofilaktik i Lazios dhe Toskanës si dhe autoritetet shëndetësore lokale. Raporti i radhës do të publikohet të hënën, më 28 korrik.

“Nuk ka vend për alarm, por nevojitet kujdes dhe arsye për të mbrojtur fëmijët tanë”, është apeli i Vincenzo Tipo, drejtor i Njësisë së Pediatrisë së Urgjencës, të Ndihmës së Shpejtë dhe Terapisë Subintensive në Spitalin Pediatrik Santobono të Napolit, në lidhje me rastet e virusit të Nilit Perëndimor në disa zona të Italisë, veçanërisht në jug të Lazios dhe në Campania.

“Në shumicën e rasteve kujton Tipo  virusi kalon pa simptoma ose shfaqet si grip i lehtë. Megjithatë, te fëmijët e vegjël dhe personat e brishtë, është e nevojshme një kujdes më i madh, pa panik”.

Në kanalet e saj sociale, spitali AORN Santobono-Pausilipon, spitali pediatrik më i madh në Jug të Italisë dhe qendër e specializuar, ndan “5 veprime të thjeshta për të mbrojtur më të vegjlit

  1. Shmangni shëtitjet në agim dhe muzg (momente kritike për mushkonjat),

  2. Vishini fëmijët me rroba të lehta dhe mbuluese, sidomos në zona të gjelbra ose me lagështi,

  3. Përdorni rrjeta kundër mushkonjave në krevate, karroca dhe dritare,

  4. Aplikoni repelentë të përshtatshëm për moshën pediatrike (nëse rekomandohen),

  5. Eliminoni ujin e ndenjur (pjatat e luleve, kovët, burimet e papërdorura).

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*