Përgatiti Agron Brataj
Lazio dhe Campania mbeten zonat më të prekura
Italia vazhdon të përballet me përhapjen e virusit West Nile, i transmetuar nga mushkonjat e zakonshme të natës të llojit Culex pipiens. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tre viktima, duke e çuar në 13 numrin total të vdekjeve në vitin 2025. Zonat më të goditura janë Lazio dhe Campania.
Në rajonin Lazio, një burrë 77-vjeçar ndërroi jetë në spitalin “Santa Maria Goretti” të Latinës, ku ishte shtruar në gjendje të rëndë që nga data 17 korrik. Ai vuante nga sëmundje të tjera kronike. Ky është rasti i pestë fatal në këtë rajon.
Në provincën e Casertas në Campania, janë regjistruar dy vdekje të tjera, një burrë 79-vjeçar nga Teverola, i cili ndërroi jetë në spitalin e Frattamaggiore pas transferimit nga spitali i Aversës, dhe një tjetër 71-vjeçar nga Casal di Principe që humbi jetën në repartin e reanimacionit të Aversës.
Të dy besohet se janë infektuar në zonën e litorit Domitian, konkretisht në Mondragone dhe rrethinat si Baia Domizia dhe Cellole, ku janë regjistruar një numër i lartë rastesh. Autoriteti shëndetësor lokal në Caserta ka paralajmëruar intensifikim të masave për dezinfektim.
Italia, e para në Europë për numrin e rasteve
Sipas raportit të fundit nga Qendrat Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), Italia renditet e para në Europë për numrin e infeksioneve të konfirmuara dhe të dyshuara nga virusi West Nile, për periudhën deri më 30 korrik 2025. Të tjera shtete që raportojnë raste janë Bullgaria, Franca, Greqia dhe Rumania, por Italia përbën pjesën më të madhe të rasteve.
Provinca e Latinës mbetet zona me numrin më të madh të infeksioneve, dhe alarmi vazhdon të jetë i lartë. Rajonet e prekura kanë zbatuar masat e parashikuara nga Plani Kombëtar për Parandalimin dhe Mbikëqyrjen e Sëmundjeve të shkaktuara nga viruset arboviralë, përfshirë dezinfektimet dhe kontrollet e forta për dhurimin e gjakut dhe transplantet e organeve të cilat, ndonëse rrallë, mund të përbëjnë rrugë të transmetimit të virusit.
Çfarë është virusi West Nile? Simptomat dhe masat parandaluese
Virusi West Nile është një infeksion që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave, kryesisht nga lloji Culex pipiens, mushkonjë e zakonshme që pickon gjatë natës.
Vektorët kryesorë janë zogjtë e egër, të cilët infektojnë mushkonjat që më pas mund të transmetojnë virusin te njerëzit ose te kafshët si kuajt.
Shumica e njerëzve të infektuar nuk paraqesin simptoma. Rreth 20% shfaqin simptoma të lehta si ethe, dhimbje koke, të përziera, skuqje në lëkurë ose nyje limfatike të fryra.
Vetëm në më pak se 1% të rasteve sëmundja zhvillohet në formë të rëndë, me komplikacione neurologjike që mund të përfshijnë ethe të larta, konfuzion, paralizë, konvulsione apo edhe koma. Efektet neurologjike ndonjëherë mund të jenë të përhershme.
Fëmijët përjetojnë zakonisht një formë më të lehtë të sëmundjes, ndërsa të moshuarit dhe personat me sëmundje të tjera janë më të rrezikuar nga format e rënda.
Eksperti Rezza: “Zogjtë në qytete mund të ndikojnë në përhapjen”
Gianni Rezza, ish-drejtor i Parandalimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe aktualisht profesor në Universitetin Vita-Salute San Raffaele, ka shpjeguar se virusi West Nile, ashtu si Dengue, transmetohet nga mushkonjat, por me një dinamikë të ndryshme.
Për West Nile, cikli është zogj,mushkonjë,njeri. Në këtë kuadër, prania e zogjve si laraskat apo pulëbardhat në qytete mund të ndikojë në përhapjen e virusit. Për momentin nuk ka rrezik të shtuar në zonat urbane, por duhet vijuar me vëmendje.
Sipas Rezzas, këtë vit ka një shtrirje të foleve të infeksionit në zona të reja në qendër dhe jug të vendit, si provinca e Latinës dhe Caserta, ndryshe nga vitet e mëparshme kur ishin më të përqendruara në Luginën e lumit Po.
Zakonisht, numri i rasteve rritet në gusht dhe nis të bjerë në shtator, por kjo mund të ndryshojë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe temperaturave të larta të regjistruara më herët këtë vit.
Ministri Schillaci në Senat
Instituti i Lartë i Shëndetësisë ka theksuar se numri i rasteve dhe viktimave është brenda normës së pritur dhe në linjë me vitet e kaluara. Sot, ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, do të raportojë para Komisionit të Çështjeve Sociale në Senat mbi përhapjen e virusit West Nile në vend dhe masat që po ndërmerren për ta mbajtur situatën nën kontroll.





