Nga Agron Brataj
Vlorë, Shtator 2025
Ky vit do të mbetet në kujtesën kolektive të qytetit të Vlorës si viti i dorëheqjeve masive një fenomen i pazakontë në historinë moderne administrative të qytetit. Me shumë gjasë, brezat që do të vijnë pas 100 vitesh do të përpiqen ta kuptojnë këtë periudhë përmes arkivave dhe analizave historike, ndoshta edhe me ironi. Ndonjë studiues mund të shkruajë se “të gjithë dorëhequrit ishin me grip, dhimbje koke apo diarre”, por pyetja thelbësore do të mbetet, çfarë ndryshoi realisht?
Përgjigjja që sot duket më e sinqertë është, Asgjë.
Thjesht një grup ra nga skena dhe një tjetër u ngjit në mënyrë po aq të organizuar, të porositur nga “mbreti”, i cili, siç thuhet me zë të ulët në korridoret politike, atë ditë të stuhishme ishte ngritur nga gjumi me simpati të re dhe kishte ndërruar “favoritin”.
Në këtë tranzicion të heshtur, çelësat e kashtës iu dorëzuan një grupi të ri, që do të qëndrojë në fokus për gjashtë muajt e ardhshëm. Brenda kësaj periudhe, priten emërime, sistemime nëpër pozicione pune dhe konsolidime të reja pushteti jo për të sjellë ndryshim, por për të rifreskuar pamjen e së njëjtës lojë.
Por pas çdo stuhie, siç thotë populli, del dielli. Dhe sot në Vlorë, të gjithë sytë janë kthyer nga dy data kyçe:
9 Shtatori, dita kur pritet të krijohet Qeveria Mbreti 4,
11 Shtatori, dita e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku do të vendoset fati i koordinatorëve të qarqeve dhe drejtuesve lokalë.
Kjo asamble do të përcaktojë nëse do të vazhdohet me “linjën e shkëlqimit të zotit Bylo”, apo nëse do të ketë një kthesë, një ndryshim të drejtuesit të qarkut, që do të sillte rënien e Bylo-s dhe lindjen e një poli të tretë brenda partisë një zhvillim që shumë e presin, por pak e besojnë.
A do të prodhojë kjo stinë politike një ndryshim real për qytetarët e Vlorës? Apo do të mbetet thjesht një rotacion formal midis grupeve që ndjekin porositë e mbretit?
Të gjitha përgjigjet do t’i marrim më 11 shtator.





