Nga Agron Brataj
Gazeta: Albania Times
Data: 15 Korrik 2025

Pak ditë më parë, një vendim i fortë i kryeministrit bëri bujë në opinionin publik, kërkesa për dorëheqjen e të gjithë drejtorëve në qarkun e Vlorës.

Ky veprim u përshëndet si një hap drejt reformimit të administratës dhe qetësimit të situatës politike lokale. Por sot, ndërsa pluhuri i atij lajmi ka rënë, qytetarët e Vlorës po shohin një realitet krejt tjetër, asgjë nuk ka ndryshuar.

Përplasjet mes grupeve të vjetra nuk janë shuar. Në fakt, ato janë zhvendosur në prapaskenë, duke ushtruar ende ndikim në mënyrë indirekte. Emrat e rinj që  priten të  emërohen si pasojë e dorëheqjeve u pritën me shpresë, por shumë prej tyre rezultojn të jenë pjesë e të njëjtës skemë të vjetër.

Lufta për pushtet, mbrojtja e interesave të ngushta dhe fryma e përjashtimit vazhdojnë të jenë të pranishme në çdo nivel të administratës.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, burime të besueshme tregojnë se disa zyrtarë që sot gëzojnë më shumë influencë pranë pushtetit qendror kanë nisur të propozojnë emra të njerëzve të tyre të afërt, pjesëtarë të klaneve politike apo personale për poste të rëndësishme.

Kjo po ndodh në heshtje, larg transparencës publike, duke e zëvendësuar një sistem të kalbur me një tjetër të veshur me kostum të ri.

Rezultati është zhgënjimi. Qytetarët e Vlorës, që shpresuan për një kthesë të vërtetë, ndihen të tradhtuar. Ata kërkonin ndershmëri, meritokraci dhe shërbim publik të pakapur nga interesat personale apo partiake.

Në vend të kësaj, po marrin më shumë nga e njëjta histori, rotacion pushteti mes grupeve që luftojnë për kontroll, jo për të shërbyer.

Nëse nuk ndalet ky cikël i kapjes së institucioneve, çdo dorëheqje do të jetë thjesht një lëvizje kozmetike. Ndryshimi i vërtetë nuk fillon me emra, por me vullnet të pastër, transparencë dhe shkëputje të plotë nga logjika e “klanëve”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*