Nga Agron Brataj

Vlore,
Këshilli Bashkiak i qytetit të Vlorës është mbledhur sot për të vendosur mbi drejtuesin e përkohshëm të bashkisë, pas pranimit të dorëheqjes nga ana e tashmë ish-kryetarit, Ermal Dredha.
Në garë për këtë detyrë ishin tre nënkryetarë aktualë: Irena Tushkollari, Klea Lalo dhe Elis Halili. Pas një seance të tensionuar dhe debateve të ashpra, shumica socialiste në këshill votoi për emërimin e Elis Halilit si drejtues i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Mbledhja u shoqërua me kundërshtime të forta nga këshilltarët e djathtë, të cilët braktisën sallën në shenjë proteste. Ata e cilësuan procesin si të paracaktuar dhe të manipuluar, duke denoncuar faktin se emri i Halilit ishte vendosur më parë në dokumentet përkatëse.
Opozita ngre shqetësimin se nuk u respektuan procedurat ligjore, duke kërkuar që votimi të ishte i fshehtë dhe të kishte garë reale mes kandidatëve.
Përfaqësues të opozitës paralajmëruan se do ta çojnë këtë çështje në prokurori, duke e konsideruar si shkelje të rëndë të procedurave dhe një tjetër akt të “diktaturës moderne”, siç u shprehën ata, ku vullneti i qytetarëve nuk përfaqësohet më nga vota, por nga vendime të parapërgatitura politikisht.




