Nga Agron Brataj
Në Vlorë, një nga qytetet historikisht bastion i së majtës, një trend i ri po ngjall debat të brendshëm dhe shqetësim të heshtur në radhët e Partisë Socialiste. Në një zhvillim që pak vite më parë do të ishte i paimagjinueshëm, drejtues të rëndësishëm të Partisë Demokratike janë emëruar në pozita drejtuese të institucioneve publike nga vetë qeveria socialiste.
Ky fenomen është interpretuar nga shumë socialistë si “pjesa e dytë e filmit politik shqiptar pas kohës së komunizmit. një përballje e re, jo më mes klaneve brenda PS-së, por mes drejtuesve të opozitës dhe bazës socialiste që prej vitesh ka mbajtur barrën elektorale dhe administrative.
Nga kundërshtarë në drejtues
Nëse dikur përplasjet kryesore ndodhnin mes grupeve rivale brenda vetë Partisë Socialiste, sot ato kanë marrë një tjetër dimension. Socialistët në bazë shohin me habi se si ish-kundërshtarë të betejave zgjedhore, shpesh të përfshirë edhe në tensione gjatë numërimit të votave, po vendosen në poste të rëndësishme publike.
Një pjesë e anëtarëve të PS-së e kanë pranuar në heshtje këtë strategji të kryeministrit për të “zgjeruar qasjet”, por nuk janë dakord me faktin që përfshirja e figurave të opozitës ndodh pikërisht në pozita të larta drejtuese.
Po, mund t’i afrojë, mund t’i punësojë në administratë si profesionistë, por jo t’ua japë drejtimin. thotë një anëtar lokal i PS-së në Vlorë që preferon të mbetet anonim.
Një front i ri përplasjesh politike
Kjo situatë po krijon një klimë të re përplasjeje, jo vetëm mes klaneve brenda PS-së, por edhe me të emëruarit e rinj nga PD që gëzojnë mbështetjen e lartë qeveritare. Në terren, kjo ndikon jo vetëm në motivimin e strukturave, por edhe në përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme, ku lojaliteti dhe kontributi afatgjatë i militantëve socialistë ndjehet i nënvlerësuar.
Rrjedhimisht, Vlora dikur simbol i unitetit të majtë po bëhet një nga shembujt më të qartë të një klime të re politike, ku qeverisja e majtë nuk ka më kufij ideologjikë të pandryshueshëm dhe ku përplasjet mund të mos jenë më thjesht mes partive, por brenda institucioneve, midis atyre që deri dje ishin kundërshtarë politikë.





