Nga Agron Brataj
Ngjarja tronditëse e ndodhur dje në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku një gjyqtar mbeti i vrarë gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në alarm të gjithë sistemin e drejtësisë dhe sigurisë në vend. Në pak minuta, një sallë gjyqi u kthye në vend krimi, një prind e profesionist i drejtësisë u vra në krye të detyrës, dhe një sistem i tërë u nxor zbuluar i pambrojtur, i zhveshur nga garancitë minimale të sigurisë.
Dje nuk kishte lajme të tjera. Mediat ndërprenë çdo transmetim për të ndjekur këtë tragjedi. Studiot televizive, analistët, komentuesit të gjithë me sytë nga gjykata, me pyetjen e thjeshtë por dramatike, Si ka mundësi të ndodhë një vrasje brenda një salle gjyqi në vitin 2025?
Në rrjetet sociale, reagimet ishin të ndryshme. Disa qytetarë të thjeshtë, të zhgënjyer nga padrejtësitë e shumta që kanë përjetuar ndër vite, e shprehën mllefin e tyre duke justifikuar aktin e dhunës. “Hallall pushka”, “mirë ja bëri”, ishin disa nga komentet që u përhapën me shpejtësi. Komente që, përveçse të frikshme, janë simptomë e një shoqërie ku drejtësia është perceptuar për shumë kohë si e kapur, selektive dhe larg qytetarit të zakonshëm.
Por reagimet më të bujshme erdhën nga politika. Kreu i opozitës, Sali Berisha, që deri dje sulmonte ashpër drejtësinë, sidomos kur ajo prekte njerëz të afërt me të, si dhëndrin e tij, djalin e tij atë vet u shfaq i indinjuar. Të njëjtën gjë bënë edhe përfaqësues të shumicës qeverisëse që gjithashtu e kanë përdorur drejtësinë si armë politike, por nuk morën kurrë masa për të mbrojtur fizikisht as gjyqtarët, as qytetarët.
Ku ishin këto reagime më parë? Ku ishte shteti kur qytetarë të armatosur endeshin të lirë në rrugë, kur jetët njerëzore merreshin për një fyerje, një vështrim apo një parkim të gabuar? Pse duhej të ndodhte një tragjedi në mes të një institucioni drejtësie që të kujtohemi se armët janë bërë më të zakonshme se fjalët në shoqërinë tonë?
Sulmi ndaj një gjyqtari është sulm ndaj një prej kolonave të fundit të një shteti funksional. Por nuk mund të kërkojmë respekt për drejtësinë vetëm kur preket elita. Ky respekt ndërtohet kur drejtësia mbron të pambrojturit, kur një punonjës i padrejtësuar gjen të drejtën e tij në gjykatë, edhe kur kjo bie ndesh me interesat e një drejtori, deputeti, kur nje punonjes largohet nga puna për kapricot e një Drejtoruci,
Dje të gjithë dolën në mbrojtje të gjyqtarit të vrarë. Por e vërteta është se ai si shumë të tjerë ka qenë i pambrojtur prej kohësh. Nga sistemi. Nga politika. Nga indiferenca.
Sot, më shumë se kurrë, ky vend ka nevojë për drejtësi që nuk trembet, për shtet që mbron qytetarët e tij, për institucione që nuk lëkunden nga interesat dhe presionet. Nëse kjo ngjarje nuk bëhet kthesë për sigurinë, për respektin ndaj ligjit dhe për reformimin e thellë të sistemit, atëherë kjo vrasje nuk do jetë fundi, por vazhdimi i një rrënimi të pandalshëm.





