Një 45 vjeçar, punonjës i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në selinë qëndrore të policisë në Paris, qëlloi me thikë të enjten, duke vrarë tre policë dhe një punonjëse, përpara se të vritej nga një oficer policie. Lajmi u njoftua nga autoritetet franceze.

Sipas transmetuesit televiziv francez BFM, 18 muaj më parë autori i dyshuar i sulmit ishte konvertuar në fenë islame.

Zyrtarët nuk thanë asgjë në lidhje me motivin e këtij sulmi dhe bënë të ditur se po përpiqen të zbulojnë nëse incidenti kishte ndonjë lidhje me terrorizmin.

Zona përreth selisë së policisë, që ndodhet pranë katedrales së Notrë Damit, u rrethua për arsye sigurie dhe gjithashtu një stacion metroje u mbyll.

Prokurori i Parisit Remy Heitz tha se policia po kryen kontroll në shtëpinë e autorit të dyshuar për sulmin dhe hetuesit e antiterrorit po vlerësojnë ngjarjen dhe lidhjet e saj me terrorizmin.

Policia ndaloi bashkëshorten e 45-vjeçarit, por prokuroria njoftoi se ndaj saj nuk janë ngritur akuza.

Duke folur jashtë selisë së policisë, ministri i Brendshëm francez Christophe Castaner tha se autori i dyshuar i sulmit punonte prej disa kohësh në departamentin e Teknologjisë së Informacionit (IT) dhe njihej nga punonjësit aty.

Në katër vitet e fundit, kryeqyteti francez është tronditur nga disa sulme të dhunshme që kanë rezultuar me viktima. Si pasojë e disa shpërthimeve të koordinuara me bombë të kryera nga militantët islamikë në nëntor 2015, në teatrin Bataclan dhe në disa zona të tjera rreth Parisit u vranë 130 persona, sulme që u konsideruan si më vdekjeprurëset në vend që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në janar 2015, militantë islamikë të armatosur vranë disa reporterë të së përditshmes satirike Charlie Hebdo, si dhe oficerë policie e të tjerë persona që ndodheshin në një supermarket.VOA

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*